Trajneri i Tërbunit: Nuk hapim rrugë, luajmë pastër
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Trajneri Viktor Gjoni nuk e ka fshehur entuziazmin për pikën e marrë ndaj Partizanit. Në një bisedë për "Panorama Sport", numri një i pankinës pukjane ndien keqardhje që pas ndeshjes pati paragjykime nga stafi i të kuqve.
"Jam shumë i kënaqur me barazimin, pasi lojtarët dhanë gjithçka në fushë, duke ma shpërblyer.
Duke qenë i dënuar, e ndoqa ndeshjen nga tribuna dhe në disa momente të lojës, isha i bindur se mund të merrnim edhe fitoren. Skuadra ka qenë shumë e motivuar në stërvitje, prandaj dhe kisha besim të madh.
Portieri dhe mbrojtësit kanë qenë në një ditë të shkëlqyer", ka thënë fillimisht Gjoni, ndërsa komentoi edhe deklaratën e zv.trajnerit të Partizanit, Klevis Dalipi.
"Nuk është e vërtetë ajo që ka thënë. Nuk i takon Dalipit të na akuzojë, ne kemi luajtur pastër ndaj çdo kundërshtari, jo vetëm Partizanit. Kështu do të luajmë deri në fund. I kemi mundësitë për të rivalizuar dhe shpresuar te qëndrimi në Superiore, edhe pse mbetet shumë e vështirë. Ne po derdhim djersë dhe po ndëshkohemi nga ana e gjyqtarëve", përfundoi Gjoni, i cili sërish premtoi përmes gazetës se bashkia do të shlyejë së shpejti pagat e prapambetura.