E bujshme, Lejkërs thyen Golden Steit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
E pazakontë në "Staples Center". Ajo që duhej të kishte qenë një shëtitje për kampionët në fuqi, kthehet në makth.
Ndeshja e fundit mes Kobi Brajant dhe Stefen Kurri është e gjitha e "Mambës së Zezë". Golden Steit pëson një disfatë të paparashikueshme në fushën e Los Anxhelos Lejkërs duke marrë një leksion të mirë nga skuadra e parafundit e Ligës.
Rezultati final ishte 112-95 që përkon dhe me humbjen e gjashtë sezonale për Golden Steit, të privuar nga Iguodala. Xhordan Klarkson me 25 pikë të realizuara dhe D'Anxhelo Rasëll me 21 pikë ishin protagonistët e mrekullisë së Lejkërs. Kontributi i Brajant ishte 12 pikë.
Ndërsa për Uoriors, Kurri u ndal në kuotën e 18 pikëve dhe Tompson në 15 pikë. Në gjuajtjet për tri pikë skuadra mike ishte një katastrofë. Vetëm 1 kosh i realizuar nga 18 tentativa. Gjashtë minuta e 11 sekonda nga fundi i ndeshjes, Huertas jep një asist për Nans, i cili bën një zhytje në kosh dhe u jep të zotëve të shtëpisë një avantazh prej 18 pikëve.
Më pas, ndeshja nuk ka histori dhe trajneri Kerr ngre flamurin e bardhë, ndërsa nga kampi tjetër kanë arsye legjitime për të festuar këtë triumf të madh, i 13-ti sezonal. Oklahoma Siti konsolidon vendin e saj të tretë në Konferencën e Perëndimit pas suksesit në transfertë kundër Miliuokit me rezultatin e përgjithshëm 104-96. Ata që vulosin fitoren janë të përhershmit Kevin Durant (32 pikë, 12 topa në tabelë e asiste) dhe Rasëll Uestbruk, i cili regjistron tripletën e 10-të sezonale dyshifrore (15 pikë, 10 topa në tabelë e 11 asiste). Kështu, "Thunder" rikthejnë buzëqeshjen pas dy humbjeve radhazi kundër Los Anxhelos Klipers dhe Uoriors. Për vendësit e Baks nuk janë të mjaftueshme 26 pikët e shënuar nga Parker, 18 pikët e Midleton dhe tripleta dyshifrore e Antetokounmpo me 26 pikë, 10 asiste e 12 topa në tabelë.
REZULTATET
Lejkërs-Golden Steit 112-95
Miliuoki-Oklahoma Siti 96-104
Memfis-Feniks Sans 100-109
Denver-Dallas 116-114
Detroit-Portland 123-103
Majemi-Filadelfia 103-98
Toronto-Hjuston 107-113