Dy persona tentojnë ta vrasin, Mëziu: Ja e vërteta
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Numri një i skuadrës së Korabit, Fehmi Mëziu, është sulmuar dje në mbrëmje në rrugën "Hoxha Tasim" në kryeqytet nga dy persona.
Këta të fundit kanë tentuar ta godasin me thikë Mëziun, por mësohet se ai fillimisht ka reaguar, duke u përleshur me ta dhe më pas ka qenë ndërhyrja e menjëhershme e policisë që ka shmangur një tragjedi, por edhe ka arrestuar një nga autorët e dyshuar për vrasje.
Edmond Gecaj, 27 vjeç, është vënë menjëherë nën prangat e uniformave blu, ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër person me inicialet S.M. Arsyeja e sulmit ndaj Mëziut bëhet me dije se është financiare, pasi presidenti i Korabit u kishte të dyshuarve për vrasje një shumë monetare të konsiderueshme borxhi, që nuk ua kishte kthyer.
Gjithsesi, policia po vazhdon hetimet për të zbardhur më shumë rreth ngjarjes. Mëziu prej dy vitesh është në krye të skuadrës së Korabit dhe ka arritur të jetë mjaft i suksesshëm. Në drejtimin e tij, Korabi ka arritur të ngjitet në Kategorinë e Parë, ndërsa aktualisht ekipi kryeson Grupin A dhe është pretendent kryesor për të qenë në Superiore sezonin e ardhshëm.
Ende nuk dihet se si do të ndikojë sulmi ndaj Mëziut në ecurinë e ekipit të futbollit, në një moment të tillë që gara ka hyrë në një moment vendimtar.
Reagon Mëziu - Pasi i ka shpëtuar një sulmi me thika, i cili mund të kishte përfunduar tragjikisht, presidenti i skuadrës së Korabit, Femi Mëziu, në një prononcim për "Panorama Sport" ka sqaruar gjithçka ka ndodhur.
"S'e di as vetë sesi më janë drejtuar dy persona të cilët nuk i njihja, ku njëri me thikë e tjetri me levë tentuan të më sulmonin. Ishte një periudhë e shkurtër kohore, por edhe fat që shpëtova pastër, pasi tentova të mbrohesha.
Rastësisht aty po kalonte edhe patrulla e policisë, e cila, me të pikasur dy personat që po tentonin të më sulmonin, u vendos në ndjekje të tyre", ka thënë Më- ziu. Ai gjithashtu ka deklaruar se ka bërë kallëzimin penal në lidhje me këtë çështje.
"U paraqita në rajonin e policisë ku kam bërë edhe kallëzim penal. Të them të drejtën, personat që më kanë sulmuar nuk i njoh aspak. Ata thjesht më kanë dalë përpara dhe më kanë ofenduar me të shara, duke tentuar të më gjuanin", ka thënë Mëziu.