Duka: 100 herë më pak dyshime për trukime
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Gjatë punimeve të Asamblesë së FSHF-së, presidenti Armand Duka, foli edhe për luftën kundër trukimeve. Sipas tij, në krahasim me një vit më parë, dyshimet për ndeshjet e manipuluara janë 100 herë më pak.
"Duhet të evitojmë hedhjen e baltës edhe nga vetë protagonistët e lojës, pasi kjo dëmton imazhin e produktit tonë të përbashkët. Më e rëndësishme është beteja jonë kundër trukimeve. Në krahasim me një vit më parë, dyshimet për trukime janë 100 herë më të vogla.
Duke e parë realitetin në sy dhe duke u përpjekur t'i luftojmë sa më shumë trukimet, kemi punuar gjatë gjithë kësaj periudhe, në mënyrë që ato të jenë sa më pak të ndjeshme në futboll. Sa i përket këtij fenomeni, mendoj se FSHF-ja po bën një punë të mirë.
Vite më parë flitet shumë për raste të dyshuara, ndërsa sot një rast i vetëm bën shumë përshtypje. I përshëndesim vendimet e Komisionit të Etikës, por gjykoj se kjo është një betejë e gjatë që kërkon përkushtim dhe transparencë.
E rëndësishme është që të ndërgjegjësohen sa më shumë të gjithë aktorët dhe faktorët për të punuar dhe luftuar në këtë drejtim. Mendoj se hetimet dhe dënimet e Etikës kanë ndikuar në këtë drejtim", deklaroi dje kreu i FSHF-së.
Ndërsa vetë numri një i Etikës, Fatmir Brakaj, ka thënë: "Komisioni ka mbajtur lidhje të vazhdueshme me Prokurorinë, duke i vënë në dispozicion informacionet nga raportet e brendshme dhe ndërkombëtare. Vendimmarrja është në përputhje me standardet e UEFA-s dhe FIFA-s".