Duro: Ishim më superiorë, Europën nuk e diskutojmë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Klodian Duro i kënaqet pikës, paçka se evidenton që skuadra e tij meritonte më shumë. Sipas ish-futbollistit të Tiranës, tashmë trajner i Kukësit, e thotë hapur se verilindorët ishin më superiorë dhe nuk do ta diskutojnë Europën këtë sezon.
"Ishte një ndeshje e luftuar dhe e denjë për dy skuadra që luftojnë për Europën. Tirana me problemet e saj dha më të mirën. Rëndësi ka që të ecim në rrugën e rezultateve pozitive dhe barazimin e quaj të tillë. Megjithatë, fusha e lojës tregoi se Kukësi është një ekip më superior se Tirana dhe meritonim fitoren.
Golin e pësuar nuk mund ta quaj si totalisht gabim të portierit, sepse edhe mbrojtja ishte në kohëvonesë në vendosje.
Nuk merrem me rivalët, pasi jam i bindur se Europën do ta kapim edhe përmes kampionatit. Distanca e pikëve që kemi ndaj Tiranës në renditje do të na japë më shumë motivim.
Kampionati ka ende shumë ndeshje, ndaj dhe Kukësi do bëjë maksimumin për të luftuar në të dy frontet, ku edhe në Kupë kemi synimin të dalim triumfues.
Ndarja nga jeta e nënës së Floresit ishte e papritur për të dhe për të gjithë ne. Por, ai është profesionist dhe ka karakter të fortë, ndaj dua ta veçoj nga pjesa tjetër e ekipit, sepse sot (dje) ai ishte 'arma' jonë e fortë. Premio pas barazimit? I kemi thënë presidentit se ky Kukës nuk luan për parà, por për të treguar vlerat e tij dhe për të arritur objektivat", tha Duro.