Duro: E meritojmë vendin e tretë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tetë javë pa humbur dhe trepikësh ndaj kampionëve në fuqi nuk janë pak për Kukësin dhe trajneri Duro e di mirë një gjë të tillë.
"Ishte fitorja më e bukur në gjithë këto javë, që kemi marrë rezultate mjaft të mira. Për të fituar, duhet një fizionomi e qartë. Këtu është merita e të gjithë lojtarëve, të cilët kanë dhënë maksimumin dhe kanë treguar se janë djem me karakter dhe kanë objektiva për të arritur. Kemi marrë një trepikësh që na mban në vendin e tretë, pozicion ky i merituar. Megjithatë kemi ende shumë ndeshje të vështira përpara, por ajo që po tregojmë në fushën e lojës na jep më shumë pasion për të vazhduar përpara", është shprehur Duro për "Supersport".
Ai ka ndërtuar një skuadër që gëzon një formë të mirë dhe mund të fitojë lehtë- sisht si në ndeshjet në shtëpi, ashtu edhe ato në transfertë. Në momentin që i është kërkuar një mendim për ekipin që do të fitojë kampionatin, trajneri ka thënë:
"Unë nuk mendoj se kush do dalë kampion, megjithatë mendoj se pavarësisht humbjes së sotme, Skënderbeu ka diçka më shumë se Partizani. Por, në një kampionat kaq të fortë, të dyja skuadrat do të jenë rivale të forta për këtë objektiv".