e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Duel titanësh, sot në fushë 121 trofe

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Duel titanësh, sot në fushë 121 trofe

Në një "Anfield Road" të tejmbushur, në fushën e lojës do të zbresin 121 trofe në total. junajtid liverpulDy skuadra që kanë bërë historinë në Angli dhe në Europë vijnë në një përballje spektakolare. Liverpul-Junajtid është përballja më e bukur e mbrëmjes së sotme.

Dy ekipet e mëdha të futbollit anglez përplasen për herë të parë mes tyre në një kompeticion europian.

Nga njëra anë e fushës do të rëndojnë 62 trofe, ndërsa nga ana tjetër 59. Të parët janë të Junajtid, i cili ka fituar 55 të tillë në Angli, ndërsa 7 ndërkombëtarë. Nga ana tjetër, të kuqtë e Jurgen Klop kanë lënë më shumë gjurmë në arenën ndërkombëtare me 11 trofe, ndërsa në Angli kanë triumfuar 48 herë.

Statistikat

Në 194 përballjet direkte, 79 janë fituar nga Junajtid, 64 nga Liverpul dhe 51 kanë përfunduar në barazim. Nën drejtimin e Luis Van Gal, "djajtë" kanë triumfuar katër herë radhazi dhe ditën e sotme do të kërkojnë të pestën. Mediat angleze shkruajnë se kjo sfidë shihet si një varkë shpëtimi për të dyja skuadrat, që nuk po kalojnë një sezon pozitiv.

Shumë larg Champions-it dhe mungesës së vazhdimësisë, ekipet që për vite me radhë kanë bërë histori tani kërkojnë të shpëtojnë sezonin e tyre, pse jo edhe me fitoren e Europa Ligës.

Luis Van Gal qëndron me këmbë në tokë dhe thotë se fantazmat e së kaluarës nuk i shërbejnë aspak skuadrës për të ardhmen.

Ai thotë se duhet të jenë të lumtur që luajnë në një kompeticion të tillë, sepse ka përfunduar koha kur dominonin Anglinë.

"Koha e Fergusonit ka përfunduar. Tani po flasim për një tjetër kohë. Ju keni dëshirë të jetoni me të kaluarën. Unë dhe lojtarët e mi jemi të lumtur që luajmë në Europa Ligë dhe do të bëjmë maksimumin për të shkuar sa më larg", ka thënë Van Gal në konferencën për shtyp përpara ndeshjes.

Klop nxeh sfidën

Për trajnerin e Liverpulit, Jurgen Klop, nuk ka aspak rëndësi kompeticioni në të cilin përballet skuadra e tij me Junajtid.

Ai thotë se kjo do të mbetet përjetësisht "nëna" e ndeshjeve të futbollit. "Nuk besoj se në futboll ka armiq, ka vetëm kundërshtarë. Është një ndeshje e madhe dhe dua ta fitoj patjetër. Nuk kam asgjë kundër Van Galit, por dua ta mund. Ai është një trajner shumë i suksesshëm dhe kam bindje se mund ta ndryshojë situatën te Junajtid", përfundoi Klop.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI