Drejtuesit ulin euforinë, tifozët premtojnë mbështetje
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Fitorja e koleksionuar kundër Laçit në transfertë ka rritur së tepërmi optimizmin në kampin ballshiot, të cilët tani janë të bindur te forcat dhe mundësitë që kanë për të arritur mbijetesën.
Gjithsesi, edhe pse morën tri pikë me shumë vlera, në Ballsh nuk ka kohë për shumë festime, sepse këtë javë presin në shtëpi kampionët e vendit, Skënderbeu.
Si vetë drejtuesit, ashtu edhe stafi me lojtarët, duan të ulin euforinë në ekip, pavarësisht se u korr një fitore në atë fushë që konsiderohej tabu deri më sot. Ndaj, ekipi ka nisur punën për ndeshjen e radhës me korçarët.
Për vetë kualitetet dhe objektivat e kundërshtarit, kuptohet se sa e vështirë do të jetë marrja e një fitore, edhe pse në Ballsh janë të bindur se ecuria e rezultateve pozitive do të vazhdojë edhe këtë javë ndaj korçarëve.
Për t'ia arritur këtë qëllimi pritet edhe ndihma e tifozërisë në këtë përballje, ndryshe nga sa ka ndodhur deri më tani. Janë vetë fansat e kësaj skuadre që, nëpërmjet rrjeteve sociale, bëjnë thirrje për të përkrahur ekipin në përballjen me kampionët e vendit.
Pritet që tri pikët në Laç të kthejnë edhe tifozët në shkallët e "Adush Muça"-s dhe Bylisi të ketë një armë plus në ndeshjet brenda. Aktualisht mallakastriotët kanë grumbulluar 19 pikë, po aq sa ka edhe Vllaznia, kundërshtari i tyre direkt për mbijetesë.