Drama e Batlendit, humbet sezonin dhe Europianin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ajo që të gjithë trembeshin, u konfirmua. Skaneri konfirmoi se portieri i Anglisë, Xhek Batlend, ka pësuar një frakturë në kavilje dhe jo vetëm që ka humbur sezonin me Stok Sitin, por nuk ka asnjë shans për të qenë as në Europian me Anglinë.
"Sky Sports" zbuloi se talenti 23-vjeçar, i cili u dëmtua në pjesën e parë të miqësores kundër Gjermanisë, do të mungojë 3 muaj. Kështu që ai nuk mund të jetë kurrsesi gati për ndeshjen e parë të kombëtares në Francë (11 qershor).
"Skaneri tregoi se kam pësuar frakturë në kavilje. Jam absolutisht i shkatërruar. Do të bëj gjithçka që të rikthehem sa më shpejt që të jetë e mundur", shkroi portieri në "Twitter". Edhe trajneri Hoxhson shprehu keqardhjen e tij për numrin 2 të përfaqësueses:
"Shumë njerëz thoshin se do të ketë një luftë shumë të bukur mes tij dhe Hartit për fanellën me numrin 1. Por të të jepet ky shans ndaj Gjermanisë dhe të thyhesh kaviljen në atë mënyrë, është një goditje shkatërruese.
Ne të gjithë i jemi pranë në këto momente të vështira. Por unë e pashë shumë stoik. Ai më premtoi se do të rikthehet më i fortë dhe kjo nuk do t'ia pengojë karrierën. Do të na mungojë".