e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Dortmund gjunjezon Bajernin dhe shpallet superkampion i Gjermanise

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Dortmund gjunjezon Bajernin dhe shpallet superkampion i Gjermanise

Borusia e Dortmundit gjunjëzon me rezultatin 2-0 Bayern Munich dhe shpallet për të dytën herë radhazi, të pestën në historinë e saj, superkampionia e Gjermanisë. Skuadra e drejtuar nga Jurgen Klopp iu imponua kampionëve të Gjermanisë me ide, forcë dhe taktikë dhe mbi të gjithë, falë dy golave të shënuar nga Mkhitaryan në minutën e 23 dhe Aubameyang në minutën e 17 të pjesës së dytë. Bavarezët veç dëshpërimit për humbjen duhet të mendojnë edhe për dëmtimin e Javi Martinez, për të cilin pritet një ndalesë e gjatë, pasi mjekët dyshojnë se ka dëmtuar ligamentin e gjurit të majtë. Mediat gjermane e kanë cilësuar një shok këtë disfatë të Bayern Munich.

Ato argumentojnë se blerjet e kryera nga Pep Guardiola, mbi të gjitha Lewandowski ende nuk po tregojnë vlerën e tyre, ndërsa thurin elozhe për teknikun Klopp. “Edhe pse Bayern vijon të ‘vjedhë’ lojtarë në shtëpinë e Dortmundit, duke iu referuar këtu Lewandowskit, ai sërish guxon. Luan me tre sulmues dhe fiton ndaj kampionëve të Gjermanisë”, – shkruan ‘Bild’ në përfundim të takimit. Ndeshja u dominua nga verdhezinjtë, të cilët luajtën pothuajse gjatë gjithë lojës në gjysmëfushën bavareze. Edhe pse duhet pranuar se Bajerni ishte i reduktuar ndjeshëm në “Signal Iduna Park”.

Mungonin plot 7 titullarë nga të sezonit të kaluar për Guardiolën, ndër më të rëndësishmit, Roben, Ribery, Shvajni, Rafinha e Alcantara. Vëmendja më e madhe për Robert Lewandowskin në rikthimin e tij si kundërshtar në stadiumin e verdhezinjve, për të cilët shënoi 103 gola nga 2010 deri sezonin e kaluar, titullar Xherdan Shaqiri. Ndeshja fillon shpejt, rastin e parë e regjistron Bayern, ndërsa golin Dortmund. Në të 18-ën, Neuer grushtoi goditjen nga afër të Kirch, i peshkuar në zonë nga Pizcek, por portieri më i mirë i botërorit nuk mundi të bënte asgjë në minutën e 23, kur Henrikh Mkhitarian gjeti rrugën e rrjetës për të tijtë me një goditje fluturimthi. Pjesa e dytë e nis mirë për Bajernin, por portieri Langerak nuk lejon topin të prek rrjetën. Pep Guardiola bën gati kartën Gozte, i cili për të evituar vërshëllimat zhvilloi nxemjen në tunelin që lidh fushën me dhomat e zhveshjes, por ky zëvendësim nuk do të sillte rezultatin e pritur, pasi as Gozte dhe as Lewandowski nuk arrin të gjejnë rrugën e rrjetës.

Ndërsa në minutën e 17 të pjesë së dytë, pas një krosi perfekt nga e djathta Pizcek, Aubameyang kërcen mbi të gjithë duke shtangur Neuer për të dytën herë. Festimi i Abumeyang me maskën e njeriut merimangë i jep atij nofkën “Spider Man”, ndërsa Jurgen Klopp feston pa frena në stolin e rezervave. Minutat e mbetura ishin thjesht një vuajtje pa fund për Bajernin që krijoi disa sulme jo të qarta dhe aspak të rrezikshme për skuadrën që u shpall superkampione e Gjermanisë. Kujtojmë që kjo është superkupa e pestë e fituar nga Dortmundi. Dy të fundit i ka fituar përball Bajernit në këto dy sezonet e fundit, ndërsa duhet theksuar se Klopp në dy sezonet e fundit ka fituar 3 herë nga 10 përballje në total.