e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Donaruma fik 17 qirinj, Barezi e Maldini në shënjestër

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Donaruma fik 17 qirinj, Barezi e Maldini në shënjestër

during the Serie A match between AC Milan and US Sassuolo Calcio at Stadio Giuseppe Meazza on October 25, 2015 in Milan, Italy.

Fytyra 'qumështore' dhe e padjallëzuar po bëhet gradualisht simboli i Milanit i së ardhmes. Xhanluixhi Donaruma, për miqtë "Xhixho", i ka joshur të gjithë në "Milanello", duke filluar nga trajneri, Sinisha Mihajloviç, i cili e promovoi si titullar dhe deri te presidenti, Silvio Berluskoni, që vetëm para disa ditësh theksoi se nuk do të shitet për asnjë shumë, edhe pse ka zgjuar interesin e klubeve "BIG" të Europës.

Portieri i Milanit dje ka festuar datëlindjen e tij të 17-të, dhe që në këtë moshë të re numëron 18 ndeshje si titullar në Serinë A, teksa synon që në të ardhmen të mbajë në krah shirin e kapitenit të Milanit. Të dhënat që të konkretizojë me sukses ëndrrën e tij nuk mungojnë, madje janë shumë shpresëdhënëse.

Historia- Duke "shfletuar" emrat e lojtarëve që kanë bërë historinë e klubit të Milanit, shifrat e Donarumës të lënë "gojëhapur" dhe duket se ato ndjekin gjurmën e simboleve të ekipit kuqezi ndër vite. Më mirë se ai në Itali ka bërë vetëm Xhani Rivera, por që në moshën 17-vjeçare, ky i fundit nuk mbante mbi shpinë fanellën e rëndë të "Djallit", por atë të Alesandrias.

Më 18 gusht të vitit 1960, në festën e 17-vjetorit, "Golden Boy" i futbollist italian kishte koleksionuar 26 ndeshje dhe 6 gola në Serinë A me Alesandrian, mirëpo akoma nuk kishte debutuar me kuqezinjtë. Kapitenët- I njëjti diskutim vlen edhe për dy ikonat e "Djallit".

Franko Barezi në datën 8 maj të vitit 1977, kur po fikte 17 qirinjtë mbi tortën të ditëlindjes, militonte tek ekipi i të rinjve të Milanit dhe vetëm një sezon më vonë arriti t'i bashkohej ekipit të parë, duke bërë edhe debutimin e tij. Ndërsa Paolo Maldini, në moshën e Donarumës i kishte "rrahur gjunjët" me tapetin e "San Siro"-s.

Më 20 janar të vitit 1985, numri 3 debutoi kundër Udinezes në moshën 16-vjeçare, mirëpo, vetëm kaq, pasi më pas qëndroi gjatë të gjithë sezonit në stol dhe në moshën 17-vjeçare nuk numëronte 18 ndeshje si "Xhixho". Të tjerët- Rivera, Maldini, Barezi nuk janë të vetmit. Në rekordin e tij të vogël të një karriere që sapo ka çelur dhe duhet të konfirmohet në vitet e ardhshme, Donaruma, ka pse të "fryjë gjoksin", teksa ai është futbollisti më i vogël që ka lulëzuar në të gjithë historinë e lojtarëve që kanë veshur ndër vite fanellën e Milanit.

Pirlo, të marrim një shembull, ka fituar gjithçka me kuqezinjtë dhe ka debutuar edhe më herët se Donaruma në futbollin profesionist, sapo kishte mbushur 16 vjeç, por luante në Serinë B me Breshian. Mirëpo, më 19 mars të vitit 1996, në ditëlindjen e 17-të, Pirlo bënte akoma pjesë në skuadrën e të rinjve. Në të njëjtin nivel ka qenë edhe Alesandro Nesta, i cili në Serinë A debutoi në moshën 18- vjeçare.

Në të njëjtën moshë ka luajtur për të parën herë mes profesionistëve edhe Marko Van Basten, i cili më 31 tetor të vitit 1981 ishte vetëm 17 vjeç, por nuk kishte debutuar akoma me Ajaksin, i aktivizuar vetëm pas një viti nga trajneri i asokohe, Johan Krujf.

Më pak fjalë, teksa analizojmë kampionët e dikurshëm që kanë lënë gjurmë në historinë e Milanit në futbollin modern, vetëm dy i afrohen rekordit të Donarumës.

I pari është Klarenc Sedorf, holandezi i cili në karrierën e tij ka arritur të fitoi katër herë Ligën e Kampionëve si protagonist me tre ekipe të ndryshme. Më datë 1 prill 1993, 17-vjeçari Sedorf numëronte 18 ndeshje si Donaruma dhe një gol me fanellën e Ajaksit.

Në gjurmët e Xhixhit- Futbollisti tjetër që ka debutuar në një moshë të re ka të njëjtin rol dhe të njëjtin emër me Donarumën. Po flasim për Xhanluixhi Bufon, i cili në moshën 17-vjeçare bënte pjesë në ekipin e Parmës, por që nuk kishte debutuar ende me emilianët në kampionat.

Gardiani i Juventusit e shkeli terrenin e Serisë A vetëm disa muaj më vonë, pikërisht në ndeshjen kundër Milanit dhe që pas atij momenti nuk është parë më në stol në 20 vitet e ardhshme. Sigurisht gjurmët e Bufonin janë ato që shpresojnë tifozët e Milanit të ndiqen nga Donaruma.

Sidoqoftë, në datëlindjen e tij, portieri ka diçka për të festuar: një kontratë të re, që pas një viti pritet të jetë 5-vjeçare, sapo lojtari të jetë maxhoren, për të blinduar në këtë mënyrë një prej futbollistëve më me prospektivë të futbollit italian.