e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Do te luajme ne sulm, Kombetarja ben spektakel

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Do te luajme ne sulm, Kombetarja ben spektakel
Në konferencën për shtyp të organizuar në mesditë në ambientet e hotel “Dyrrah në Durrës, trajneri në detyrë i Kombëtares, boshnjaku Xhemal Mustedanagiç, është shprehur se gjithçka është bërë gati për start dhe se sot Shqipëria duhet ta fitojë ndeshjen miqësore me Azerbajxhanin, nisur jo vetëm nga superioriteti në kualitet, por edhe nga motivimi i madh që ka grupi pas situatës që ka pllakosur ekipin kombëtar dhe sidomos Federatën Shqiptare të Futbollit. “Xhema” ka theksuar ndërkohë se ekipi do të zbresë sot në fushë me synim të qartë për të marrë fitoren.

Madje tekniku boshnjak shtoi se Kombëtarja do të luajë sot në sulm, me synimin e saj madhor që të bëjë spektakël për tifozët e saj. Nga ana tjetër, Mustedanagiç u shpreh se teknikët që kanë refuzuar Kombëtaren Shqiptare kanë gabuar, pasi ekipi përfaqësues ka shumë elementë cilësorë dhe në të ardhmen do të jetë një ekip shumë i mirë. Por “Xhema”, i pyetur nëse do ta pranonte të drejtonte ekipin edhe më tutje, theksoi se ai nuk është një kandidaturë, por po të ishte do ta pranonte me shumë kënaqësi. Në intervistën e mëposhtme ai saktëson jo vetëm formacionin titullar ndaj Azerbajxhanit, por edhe disa detaje të tjera në lidhje me ekipin.

Kuzhe e kishte zakon që shpallte listën e formacionit para ndeshjes. Ju do të na thoni listën e lojtarëve që do të luajnë nga minuta e parë?

Nuk ka asnjë problem. Ata janë Hidi, Lila, Dallku, Veliu, Agolli, Roshi, Canaj, Bakaj, Hyka, Bogdani e Salihi.

Listën e kishte bërë federata. Formacionin e keni bërë ju apo federata?

Është e natyrshme që listën e lojtarëve ka bërë federata, në mungesë të trajnerit të parë, por formacionin natyrisht e kam bërë unë.

Kjo është hera e dytë që e drejton ekipin si trajner i parë. Ku e ndjen ndryshimin në këtë rast?

Ndryshimi në këtë rast është te ndeshjet. Më parë ishte ndeshje zyrtare dhe ishte ndeshje për pikë, kurse kjo është ndeshje për relaksim. Ju është dashur një trajner i mirë që të shohë kualitetet që ka, në mënyrë që ta kishte sa më të lehtë punën e tij.

Pse ky ndryshim në mbrojtje?

Për shkak se kemi probleme në mesfushë dhe mendojmë që Cana të jetë mesfushor i fundit. E vetmja arsye është pikërisht kjo. Cana është lojtar me shumë eksperiencë dhe ai i shërben në këtë pozicion ekipit.

Cili është objektivi i Shqipërisë në këtë ndeshje. Çfarë mendimi ka trajneri?

Pres një ndeshje të mirë. Për shkak se këto janë ndeshje në fund të sezonit. Kam nxjerrë një ekip sulmues, pra besoj se do të luajë në ofensivë. Karakteri i lojtarëve shqiptarë është që luajnë në sulm. Për këtë arsye kam vendosur që të ndërtoj një ekip ofensiv. Është problem që disa lojtarë nuk janë të gatshëm. Ujkani është i dëmtuar dhe Lalën nuk e kemi. Por unë e pëlqej futbollin në sulm dhe do të mundohemi të bëjmë një lojë atraktive, që të ketë spektakël për publikun. Publiku ka qenë përkrah nesh në çdo ndeshje, ata e meritojnë që të luajmë me spektakël.

A jeni konsultuar me Kuzhen për mënyrën se si funksionon skuadra?

Nuk kam pasur konsultë me asnjë, sepse unë i njoh lojtarët shqiptarë. Tifozët ndoshta kanë të drejtë në këtë pikë që janë të mërzitur. Sikur të kishim fituar disa pikë që duhet ti fitonim, por nuk duhet të harrojmë se kemi bërë pikë edhe kur nuk kemi qenë vaforit. Kemi pasur në disa ndeshje fat, por në të tjera s’kemi pasur fat në disa takime të tjera. Por kishte mundësi për më mirë.

Të ka telefonuar Kuzhe gjatë kësaj kohe?

Ne komunikojmë gjithmonë, por këto ditë as që e kam parë telefonin, pasi kam pasur shumë punë. Jam në krye të një Kombëtareje dhe këtu punohet. Nuk mendoj se më ka marrë në telefon.

Ju si ndihmësi i Kuzhes, keni ndonjë merak pse jeni sot në këtë pozicion?

Unë asnjëherë nuk kam ikur nga përgjegjësitë që kam pasur dhe nuk do të iki as tani. Kështu e ka futbolli. Gjithmonë është fajtor trajneri i parë. Më vjen keq që nuk fituam ca pikë më shumë, pasi mundeshim. Kombëtarja Shqiptare ka luajtur disa ndeshje shumë të bukura e spektakolare. Mendimi im për këtë ekip është se mund të krijojmë një kombëtare shumë të fortë për të ardhmen, pasi ka lojtarë shumë të mirë. Kushdo që të vijë si trajner do të ketë mundësi. Nuk do ta ketë të vështirë të bëjë një ekip të perspektivës.

Ju do ta pranonit detyrën e trajnerit nëse jua afrojnë?

Unë habitem me teknikët që refuzojnë kombëtaren e Shqipërisë. Sepse unë kam qenë i mendimit se Kombëtarja edhe më parë edhe tani ka vlera kualitetesh. Gjithmonë e kam thënë se si luajnë lojtarët e Shqipërisë për kombëtaren e tyre nuk luan asnjëri tjetër. Unë do ta kisha pranuar ftesën me kënaqësi. Unë nuk jam kandidat, kështu që s’varet nga unë. Adriatik BALLA