Dibala dhe lojë nga krahët, ja plani i Alegrit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
J uventusi po përjeton një moment të artë në kampionat, por hapin e madh të vërtetë duhet ta bëjë në Champions, aty ku e pret dueli i kthimit me Bajernin e Mynihut.
Në ndeshjen e parë, pas një disavantazhi 2-0, bardhezinjtë ditën të rikuperojnë dy gola, por ndoshta pikërisht nga ai takim i luajtur tri javë më parë dhe nga rezultatet e vendosura së fundmi në Serinë A, trajneri Alegri ka nxjerrë indiciet e duhura për të tentuar kualifikimin në "Allianz Arena".
Pikat ku ai duhet të mbështetet janë tre; Bufon dhe mbrojtja, shpejtësia nga krahët dhe natyrisht njeriu gol, Dibala.
Bufon dhe mbrojtja Bufon përgatitet të thyejë rekordin absolut të Sebastiano Rosit në Serinë A, me 929 minuta pa pësuar gol, por më shumë sesa kaq, "Supermeni" është edhe një udhëheqës i mbrojtësve të tij.
Portieri urdhëron gjithmonë që lojtarët e tij të luajnë sa më larg zonës së rreptësisë dhe kjo është pikërisht ajo që duhet të bëjë pikësëpari Juventusi kundër Bajernit. Në Torino, gjermanët i shtypën në 25 metrat e fundit bardhezinjtë, prandaj diçka e tillë të mërkurën nuk duhet të ndodhë.
Bajerni ka goditës të mirë, por pika e tyre më e fortë janë zbritjet në zonë, pasimet dhe shkëmbimet e shpejta brenda 16 metrave, prandaj nëse Bufon, Bonuçi, Barzalji dhe ndoshta Kielini e shmangin këtë, do ta bëjnë më pak të rrezikshëm Bajernin.
Lojë krahësh dhe Hernanes Një tjetër aspekt ku Bajerni dominoi për 60 minuta Juven ishte shtysa e tyre nga krahët. Ajo ndeshje tregoi se Lihshtajner në korsinë e mbrojtjes në një 4-4-2 dhe Kuadrado në mesfushë nuk ofruan shumë garanci, madje shumë herë penguan njëritjetrin, prandaj për Alegrin do të ishte më mirë një 3-5-2, për të shfrytëzuar shpejtësinë dhe momentin e mirë të kolumbianit.
Kundër Bajernit do të shihen shpesh duele një kundër një dhe Kuadrado di t'i fitojë ato, ndërsa Lihshtajner është më mekanik dhe shumë më pak i shpejtë. Ndoshta edhe në korsinë e majtë duket më efikas Aleks Sandro, sesa Evra me shumë vite mbi shpatulla, por, mbi të gjitha, në mesfushë nevojitet ai që duhet të shpërndajë topat.
Në takimin e parë, Markizio u markua ashpër dhe Juventusit iu desh të luante me Bonuçin, por trajneri Alegri i dha zgjidhje këtij kurthi me Hernanesin në vend të Khedirës dhe ndoshta, edhe në Mynih, nevojitet teknika më e rafinuar e brazilianit (sesa ajo e Khedirës) për të pasur më shumë mundësi të shpërndarjes së lojës dhe më pak pika referimi, duke qenë se edhe për mesfushën e Bajernit do të ishte e vështirë që të mbulonin tre shpërndarës topash njëkohësisht; Markizion, Pogbanë dhe Hernanesin, ndërkohë që Aleks Sandro dhe Kuadrado kërkojnë thellësinë.
"Magjistari" Dibala Por nëse mbrojtja dhe mesfusha bëjnë punën e tyre, Juventusit i duhet të shënojë me çdo kusht në "Allianz Arena". Prandaj, ndërsa Manxukiç ishte një shtyllë, i cili ndërtoi dy golat në Torino, Dibala është ai që duhet të përsëritet edhe në Gjermani.
Sulmuesi argjentinas ka këmbë të rafinuara, por ndoshta, në "Juventus Stadium" kërkoi më shumë sponda me shokun e repartit, sesa kërkoi portën. Dibala ka treguar se golat di t'i shënojë, nga çdo pozicion dhe në çdo mënyrë, prandaj në Mynih më shumë se kurrë, ai duhet të tentojë më shpesh të godasë portën e Nojerit, në mënyrë që saktësia e argjentinasit të mund të surprizojë nga larg portierin e bavarezëve.