e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Dhuna ne sport nuk tolerohet, Laci nuk falet as nga Apeli

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Dhuna ne sport nuk tolerohet, Laci nuk falet as nga Apeli
Në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit u mblodh dje Komisioni i Apelit i këtij institucioni, që mori në shqyrtim kërkesën e FK Laçit, për shqyrtimin e vendimit të Komisionit të Disiplinës të pak ditëve më parë, që e kishte dënuar skuadrën kurbinase me minus gjashtë pikë në tabelën e renditjes dhe natyrisht me zhvillimin e të gjitha takimeve jashtë fushës së saj dhe pa praninë e tifozëve. Dy aspektet e fundit nuk janë ankimuar nga klubi laçian, por është kërkuar nga Apeli që të heqë vendimin ë ka të bëjë me shkurtimin e pikëve në klasifikim, domethënë me gjashtëpikëshin e hequr me vendim të posaçëm të komisionit në fjalë. Anëtarët e komisionit të Apelit, pasi e shqyrtuan kërkesën me seriozitet, nuk gjetën elementë që të falnin skuadrën kurbinase dhe të merrnin një vendim për kthimin e pikëve të hequra.

Nisur dhe nga raporti që kanë sjellë gjyqtarët e ndeshjes apo delegatët dhe vëzhguesit e FSHF-së, si dhe nga pamjet filmike të ofruara nga ndeshja Laçi-Kastrioti, duket qartë se ekipi kurbinas ka gabuar dhe sidomos e dëmshme ka qenë hyrja në fushë e tifozëve dhe e drejtuesve të vetë klubit, që kanë dhunuar fizikisht gjyqtarin Lorenc Jemini. Apeli ka marrë më në fund vendim që Laç të mos falet, duke e bazuar vendimin në aspektet e shprehura të dhunës, pra përsëritja e këtij fenomeni në stadiumin e Kurbinit, si dhe nga masa e drejtë dhe e bazuar në Kodin e Drejtësisë Sportive të dhënë nga Komisioni i Disiplinës më 7 dhjetor. Në proces-verbalin e mbajtur me këtë rast, shprehet vetëm vendimi, por jo justifikimi, pasi kjo kuptohet ë ka të bëjë me pikat e rregullores.

“I mbajtur sot në datën 28.12.2011 në mbledhjen e Komisionit te Apelit te FSHF për shqyrtimin e kërkesës ankimore drejtuar Komisionit të Apelit nga ankuesit KF.Laçi kundër vendimit  të Komisionit te Disiplinës se FSHF të datës 07.12.2011 pika 1 nënpika 2 në lidhje me zbritjen e 6 pikëve nga klasifikimi. Komisioni i Apelit pasi u njoh me ankimin e paraqitur nga ankimuesi, dokumentacionin e paraqitur nga Sekretariati Teknik dhe pasi shqyrtoi çështjen në tërësi: Vendosi Lënien në fuqi të vendimit te Komisionit të Disiplinës datë 07.12.2011 pika 1 nënpika 2”, thuhet në vendimin e djeshëm të Komisioni të Apelit.

Kuptohet qartë se vendimi ka në fakt premtimet ë ka bërë vetë presidenti i federatës Armand Duka pak ditë më parë, se të gjitha aktet e dhunës në stadiume dhe veprimet negative që cenojnë imazhin e kampionatit dhe futbollit shqiptar në përgjithësi dol të marrin ndëshkim të rëndë. Pas këtij vendimi mund të mendohet lehtë se edhe kërkesa e skuadrës së Pogradecit, që është dënuar me minus tri pikë në klasifikim dhe në kushte të tjera masash si edhe Laçi, nuk do të tolerohet, madje as nuk duhet të mendojë se mund të bëjë një ankesë në Apel. Pra në këtë kuadër, dënimet e dhëna nga komisionet ndëshkimore të FSHF-së janë ekzemplare dhe mjaft goditëse. Sidoqoftë, ato nuk kanë mundur të frenojnë procesin e dhunës në stadiume, si brenda dhe jashtë fushës, gjë që ka rritur shqetësimin edhe të Policisë së Shtetit, e cila ka dërguar shkresa të shumta në FSHF se nuk ka mjetet e nevojshme për të menaxhuar si duhet ndeshjet e futbollit dhe situatën në stadiumet e vendit, që sipas policisë janë jashtë çdo standardi teknik.