e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Deshira e De Biazit: Me jepni nenshtetesine!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Deshira e De Biazit: Me jepni nenshtetesine!

Xhani De Biazi dëshiron të marrë nënshtetësinë shqiptare. Trajneri italian i cili drejton përfaqësuesen shqiptare të futbollit, e ka treguar këtë dëshirë të tijën në një intervistë të veçantë që ka dhënë për “Tifozat Kuq e Zi”, grupimin më të madh të mbështetësve të kombëtares. 58-vjeçari, i cili që në fillimin e punës së tij me kuqezinjtë ka pasur një raport të shkëlqyer me mbështetësit e kombëtares, ka treguar nëpërmjet fjalëve të tij se nga tani e tutje dëshiron të identifikohet edhe ai si shqiptar i vërtetë.

“Dëshira ime? E di çfarë do më pëlqente? Që miku im Kryeministër të më jepte nënshtetësinë shqiptare. Do isha me të vërtet shumë krenar. Tek e fundit, jam martuar me një shqiptare… kombëtaren kuqezi, ka 3 vjet e pak”, ishte komenti i De Biazit, i cili ka treguar se si kishte filluar me shumë entuziazëm punën që në momentin e parë pas firmës me FSHF. “Le të themi që ajo e trajnerit të një kombëtareje ishte një përvojë që doja ta bëja dhe oferta e Federatës më vendosi pak në befasi. Në fillim isha pak i pasigurt se ç’duhej të bëja. Por pastaj u hodha në këtë aventurë të re me një entuziazëm të madh. Deri më sot nuk jam penduar kurrë për zgjedhjen time, edhe pse në verën e 2013 kam pasur një ofertë nga një klub i madh europian. Po luftonim për Botërorin e Brazilit dhe kisha marrë përsipër një detyrë që doja ta dërgoja në përfundimin e saj natyral. Ndihem krenar kur djemtë japin gjithçka që kanë në fushë, pa u kursyer, e duke ua kushtuar sukseset e tyre tifozëve tanë. Më duhet të them që në periudhën e fundit kemi dhënë kënaqësi të mëdha me fitoren në Portugali dhe barazimet me Danimarkën e Francën, por edhe me Italinë kemi bërë një figurë mjaft të mirë, si në fushë, ashtu edhe në tribuna”, tha De Biazi.

Trajneri italian ka pranuar se një nga momentet më të veçanta të eksperiencës së tij në stolin kuqezi ka qenë prania e jashtëzakonshme e tifozëve shqiptarë në stadiumin e Xhenovas për miqësoren me Italinë. “Në Xhenova kemi treguar se çfarë jemi të aftë të bëjmë me një tifozeri fantastike dhe ajo që më ka gëzuar më shumë është këndimi i të dy himneve nga tifozeria jonë. Kemi luajtur në shtëpi. Shumë e bukur. Besoj se në rast se arrijmë të kualifikohemi në Kampionatin Europian, Shqipëria do ishte kombëtarja me më shumë tifozë në Francë. Për mua, gjëja më e bukur është të shoh skuadrën që vallëzon përballë këndit të tifozerisë tonë, sepse e di sa shumë për zemër e kanë të dyja palët realizimin e një ëndrre”, vijoi italiani, i cili ka pohuar se në këtë përvojë të tij nuk kishte pasur ndërhyrje për zgjedhjet e lojtarëve.

Nuk ka munguar as thirrja për tifozët që të qëndrojnë me këmbë në tokë në vazhdimin e eliminatoreve të Euro 2016 sepse “të fluturosh me fantazinë është e rrezikshme”. Ai nuk e ka fshehur faktin se pas më shumë se tre vitesh, njohuria e tij rreth gjuhës shqipe bëhet gjithnjë e më e fortë. “Sloganet e tifozëve? Po, tashmë besoj se i kuptoj, mbase jo fjalë për fjalë, por të paktën kuptimin e sloganeve që ju këndoni në stadiume. ‘O sa mirë me qenë shqiptar!’ pastaj ‘Shqipëri Etnike!’. Ajo që mbase më pëlqen më shumë është: ‘Xhamadani vija-vija, është Kosova është Shqipëria'”, ka treguar trajneri për “Tifozat Kuq e Zi”.