e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Derbi i kryeqytetit ne faqet e 'La Gazzetta dello Sport'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Derbi i kryeqytetit ne faqet e 'La Gazzetta dello Sport'

”Kthehet pas 5 vitesh derbi i Tiranës, i cili në vitin 1967 anullohej për të favorizuar Dinamon. Të shëtisësh nëpër rrugët e Tiranës, jo rallë mund të ndeshësh dikë që mban veshur një bluzë futbolli: Inter, Juventus, Barcelona, Manchester United… Ndërkohë nuk sheh asnjë shenje të bluzave të skuadrave vendase. Pavarësisht kësaj, në kryeqytetin e Shqipërisë reziston një rivalitet antik dhe shumë i ndjerë mes skuadrave lokale, Partizani dhe Tirana, që ketë vit “ndezin” derbin pas 5 viteve ndërprerje të detyruar. Pikërisht, Partizani, klub historik i lidhur me ushtrinë, është ringjitur në Kategorinë Superiore. Vendi i dytë, pas Lushnjës, i dha mundësinë skuadrës së Hasan Likës (i cili zëvendësoi Shpëtim Duron në mars) të ngjitet një kategori më lart dhe të përballet sërish me rivalet e KF Tiranës. Ndeshja, të shtunën në “Qemal Stafa”, nuk luhet në kampionat që prej vitit 2009: dy sfidat e fundit (të fituara nga KF Tirana) kanë qenë të vlefshme për edicionin e shkuar të Kupës së Shqipërisë, ndaj edhe në qytet rritet pritshmëria për derbin e radhës, pavarësisht se luhet midis dy impenjimeve të kombëtares, të premten dhe të martën e ardhshme, kundër Zvicrës e Qipros, ndeshje të vlefshme për eleminatoret e Botërorit “Brazil 2014″.

Asnjë konflikt interesi: në listën e përzgjedhur nga De Biazi nuk ka lojtarë që militojnë në atdhe, me përjashtim të ndonjë elementi nga Skënderbeu kampion. Kanë qenë sukseset e fundit të skuadrës nga Korça, në juglindje të vendit, që i kane hequr Tiranës statusin e “kryeqytetit futbollistik”. Dominim që nuk vihej në diskutim deri pak vite më parë.
KF Tirana dhe Partizani kanë fituar respektivisht 24 dhe 15 tituj kampionë, Dinamo (aktualisht në kategorinë e parë) 18 tituj. Historia e tri skuadrave të Tiranës, siç shpesh ndodhte në vendet lindore, ecën paralelisht me politikën. Kurioze ngjarja e vitit 1967: në javën e 19-të (24 qershor), derbi mes Partizanit dhe KF Tiranës, që atëherë quhej “17 Nëntori”, mbyllej 2-1 për këta të fundit, me parregullsi në fushë dhe përplasje në tribuna. Kjo nuk e pengoi Ministrinë e Brendshme, e cila kontrollonte Dinamon, të anullonte rezultatin e fushës dhe të përjashtonte dy skuadrat nga kampionati: 17 Nëntori ishte në prag të fitimit të titullit të tretë radhazi, një turp i papranueshëm për Byronë Politike.