Partizani fiton derbin e kryeqytetit Caka i jep nje dore

Partizani fiton derbin e kryeqytetit, Caka i 'jep nje dore'

Partizani e bën festë në derbin e kryeqy tetit dhe konfirmon se është në luftë për titullin, duke fundosur Tiranën. Ndeshja mes dy klubeve legjendare u ka buzëqeshur të kuqve, të cilët, falë një goli të mesfushorit Ertan Demiri, kanë marrë tri pikë të arta. Spektakël në shkallë, nerva dhe shumë “luftë” në fushë, por jo vetëm. Sfida e djeshme në “Qemal Stafa” i ka pasur të gjitha brenda. Të kuqtë merituan fitoren, pasi u treguan më pragmatistë se kundërshtari dhe tashmë e shikojnë veten vetëm një pikë larg kreut. Nga ana tjetër, Tirana e Nevil Dedes zhytet në fundin e tabelës, duke qenë e rrezikuar seriozisht, për më tepër në një kampionat ku dalin direkt katër skuadra. Trajneri kishte premtuar se në derbi do të tregohej fytyra e vërtetë e këtij ekipi, por gjithçka rezultoi një zhgënjim për tifozët bardheblu.

 

Vetëm dy gola të shënuar në shtatë ndeshje janë një rekord i frikshëm negativ për 24 herë kampionët, që po kalojnë një situatë të pazakontë. Takimi i djeshëm u vendos nga një episod në minutën e 57-të, kur dalja e gabuar e portierit Çaka u kushtoi shtrenjtë bardhebluve. Me dy skuadra shumë të kujdesshme në fushë, por edhe të tensionuara, për vetë rëndësinë që kishte kjo ndeshje, loja nuk u ngrit në nivelin e pritshëm. Gjithsesi, në fund ajo që ka më shumë rëndësi është fitorja e Partizanit, që diti ta merrte edhe falë një mbrojtje në një ditë të shkëlqyer. Me shumë kartonë, por edhe dyshime për dy penallti të padhëna, takimi reklamë për futbollin shqiptar u mbyll pa incidente në fushë dhe tribuna. Tifozët e të dyja ekipeve meritojnë notën 10, jo vetëm për mbështetjen, por veçanërisht për koreografinë madhështore.

PARTIZANI-TIRANA  1-0
Golat: Demiri 57′
PARTIZANI: Hoxha, B.Krasniqi, Rrahmani, G.Krasniqi, Udoh, Hyshmeri (Thana 74′), Demiri, Maliqi (Musta 10′), Mazrekaj, Buac, Mitraj (Bordo 56′).
Trajner: Hasan Lika
TIRANA: Caka, Kerciku, Pashaj, Vrapi, Kotobeli (Caushaj 65′), Karabeci, G.Muca, Kurti (Kurti 72′), Limani, Semedo (Gerc 62′), Cota. Trajner: Nevil Dede
Gjyqtarë: L.Jemini, R.Avdo, E.Doda
Kartonë të verdhë: Hyshmeri 5′, Demiri 47′, Hoxha 90+4′ / Kerciku 16′, Caka 68′, Cota 74′

Pjesa e parë Loja është e ashpër që në fillim, por me një Tiranë më agresive dhe një Partizan shumë të kujdesshëm në veprime. Bardheblutë luftojnë shumë për topin e parë, ndërsa të kuqtë mundohen ta përqendrojnë lojën nga krahët, aty ku Mazrekaj dhe Hyshmeri janë iniciatorët e çdo aksioni sulmues. Skuadra e Hasan Likës merr një goditje që në 10 minutat e para, pasi detyrohet të bëjë një zëvendësim për shkak të dëmtimit të mesfushorit Behar Maliqi. “Demat” i afrohen golit me Hyshmerin, ndërsa ekipi i Dedes, edhe pse lufton shumë, e ka të vështirë për të krijuar një rast të pastër. Sulmuesit Çota dhe Semedo janë larg portës, por markohen në mënyrën më të mirë nga mbrojtësit e kuq. Gëzim Krasniqi dhe Amir Rrahmani zhvillojnë një ndeshje të madhe, edhe pse nën presionin e derbit të parë mbi shpatulla dhe në një stadium të tejmbushur. Afër fundit të fraksionit të parë Tirana rrezikon me Kurtin, por kjo nuk mjafton dhe gjithçka mbyllet pa gola.

Pjesa e dytë Skuadrat e rinisin takimin pa ndryshime në përbërje. Tirana duket më kërkuese në fillimin e pjesës së dytë. Megjithatë, në momentin më të mirë të bardhebluve, është Partizani që shënon. Goli vjen nga një goditje dënimi, por të kuqve ua bën më të lehtë edhe dalja e gabuar e portierit Çaka. Mesfushori Demiri ndodhet në vendin dhe kohën e duhur, duke e shtyrë topin në rrjetë. Stadiumi shpërthen si vullkan, me një Partizan që tashmë kontrollon lojën dhe i afrohet golit të dytë me serbin Buac. Dede ndërhyn, duke bërë të tria zëvendësimet e mundshme. Loja sikur freskohet për bardheblutë, që arrijnë të dominojnë pas minutës së 70-të. Muça është i pafat, pasi për një moment krijohet iluzioni i golit, por goditja e mesfushorit largohet në vijën fatale nga Udoh. Partizani tërhiqet dhe rrezikon shumë, por gjithsesi të kuqtë kanë shansin të mbyllin ndeshjen. Sulmuesi Bordon i habit të gjithë, teksa përballë Çakës humbet një rast ideal për të shënuar. Në fund akordohen pesë minuta shtesë, po që nuk sjellin asgjë dhe Partizani feston me tifozët një fitore të merituar, edhe pse jo bindëse duke iu referuar lojës së zhvilluar.

MË I MIRI

Alban Hoxha, Gëzim Krasniqi dhe Feliks Udoh ishin lojtarët më të mirë në fushë për të dyja skuadrat. Portieri nuk gaboi në asnjë moment, ndërsa qendërmbrojtësi dhe mbrojtësi i majtë nigerian ishin në një ditë të shkëlqyer, duke nxjerrë jashtë loje sulmuesit bardheblu. Një paraqitje të mirë te Partizani bëri edhe autori i golit, Demiri. Te Tirana shkëlqyen mesfushorët Kërçiku dhe Limani, teksa i pari markoi në mënyrën më të mirë Mazrekajn.

MË PAK AKTIVI

Portieri i Tiranës, Marsel Çaka, mban përgjegjësinë më të madhe në golin e pësuar. Dalja e pastudiuar e tij vendosi ndeshjen, por gjithsesi, përveç tij, një paraqitje larg pritshmërisë bënë edhe mbrojtësi Pashaji dhe sulmuesi Semedo. Portugezi, përveç një rasti afër fundit të pjesës së parë, kur u rrëzua në zonë dhe gjyqtari nuk akordoi 11-metërsh, nuk u pa për asnjë moment tjetër. Qendërmbrojtësit Krasniqi dhe Rrahmani e nxorën jashtë loje.

MOVIOLA


5′ Aksion spektakolar i Partizanit nga e majta. Mazrekaj pason për Hyshmerin, që futet brenda zone dhe rrëzohet pas përplasjes me Vrapin, por për gjyqtarin Jemini është simulim. Kjo konfirmohet edhe nga pamjet televizive, ku duket qartë që nuk ka kontakt në zonë dhe se mesfushori elbasanas ka simuluar.


36′ Kundërsulm i Tiranës, Limani nxjerr të lirë Semedon, që futet brenda zonës dhe rrëzohet pas dyluftimit me mbrojtësin Gëzim Krasniqi. Jemini vazhdon lojën, ndërkohë që ka një kontakt në zonë, pas një dore të zgjatur të lojtarit të kuq. Rast i dyshimtë.


48′ Goditje dënimi për Tiranën. Karabeci kroson në zonë dhe topi largohet nga mbrojtësit e kuq. Më pas kalon te Kurti, që jep një pasim të gjatë për Çotën, i cili gjuan jashtë me kokë, por rrëzohet në zonë për shkak të përplasjes me Rrahmanin. Jemini nuk akordon 11-metërsh. Edhe ky një rast i dyshimtë.

GAZ DEMI


Presidenti i Partizanit, Gaz Demi, kërkon të frenojë euforinë. Megjithatë, ai është sigurisht shumë i lumtur pas kësaj fitoreje. Shkurtimisht kreu i klubit të kuq deklaroi: “Jemi të kënaqur, djemtë morën tri pikë të merituara. Megjithatë, të tjera fitore do të marrim. Falënderojmë shumë tifozët tanë të mrekullueshëm”.

BEHAR MALIQI


Mesfushori i Partizanit, Behar Maliqi, edhe dje ka qenë i pafat. Pas dy kartonëve të kuq në javët e para të kampionatit, dje lojtari e shijoji derbin vetëm 7 minuta. Gjatë një dyluftimi në mesfushë ai u përplas kokë më kokë me kapitenin e Tiranës, Muça. Maliqi pësoi një çarje afër syrit të djathtë dhe e kishte të pamundur që të vazhdonte lojën.

IGLI TARE


Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Igli Tare, ka preferuar të ndjekë dje derbin Partizani- Tirana. Drejtori sportiv i Lacios ka nisur karrierën si futbollist te skuadra e kuqe dhe sigurisht ka nostalgji për këtë klub legjendar. I shoqëruar nga ish-lojtari i Kombëtares kuqezi, Ervin Fakaj, Tare ka qenë në tribunën VIP të stadiumit “Qemal Stafa”.

Demiri: Fantastike! Goli im për ultrasit


Ertan Demiri ishte heroi i ndeshjes së djeshme. Mesfushori nga Tetova shënoi një gol me peshë, duke i dhënë tri pikë të arta Partizanit. Pas sfidës, ai tregoi emocionet e përjetuara në këtë derbi të parë me fanellën e kuqe. Për 34-vjeçarin, fitorja ishte më se e merituar, edhe pse ai pranon se Tirana dominoi disi me lojë. “Goli im shkon për ultrasit e Partizanit. Atmosferë fantastike, edhe pse unë jam mësuar me stadiume edhe me më shumë tifozë se kaq”, – ka thënë ndër të tjera mesfushori i të kuqve.


E dini që pas këtij goli jeni kryegolashënuesi i Partizanit?


Ky është goli i dytë, e ndoshta më i bukuri, për nga vetë fakti që u shënua në derbi. Jam shumë i lumtur që i dhashë fitoren skuadrës, kjo është shumë e rëndësishme.

Kujt ia dedikoni këtë gol?


Pa dyshim tifozëve, pasi ata me praninë e tyre na shtuan edhe më shumë grintën, për të marrë maksimumin në fushë.


Si e përjetuat këtë derbi, nisur edhe nga pritshmëria e madhe e tifozëve?


Emocionet ishin realisht të mëdha. Mua, në fakt, që prej ditës së për që erdha këtu, më kishin folur mbi këtë sfidë dhe e kisha krijuar një ide se çfarë përballje na priste. Gjithsesi, të them të drejtën, kam luajtur edhe në një ambient me më shumë tifozë, por megjithatë sot (dje) gjithçka ishte elektrizuese.

 

Emerituat këtë fitore?


Ne u shfaqëm të qetë gjatë gjithë lojës dhe kjo na dha shumë bonuse. Loja kishte edhe ashpërsi sigurisht, por mendoj se në një derbi gjithnjë janë prezente episode të tilla.

Mendoni se Tirana e dominoi lojën?


OK, por në fund mbahet mend rezultati dhe jo kush kontrolloi lojën. Për ne kaq mjafton. Kur të bëjmë analizën, do diskutojmë për këto gjëra.

Kundërshtari pretendon për dy penallti të padhëna…


Nuk besoj se kishte penallti, por gjithçka do të shihet nga pamjet filmike. Në kompleks ishte një ndeshje e bukur dhe plot emocione.

Sa larg mund të shkojë ky Partizan?


Është herët të flasim. Mendoj që t’i marrim ndeshjet një e nga një, dhe në varësi të ecurisë do vijnë edhe objektivat.

Besoni te titulli?


Do mundohemi, por qëllimi është sigurisht që të jemi në maja.

Banderolat
TIFOZËT E PARTIZANIT
   

– “8-0 akoma djeg, dje, sot e përjetë”. Në fillim të ndeshjes hapën një pankartë të madhe ku ishin vizatuar simbolet e kryeqytetit dhe flamuri i Partizanit dhe në fund shkruhej: “Se qyteti është i joni”.
   

– “E njihni kunatin”.
   

– “Vjet dy ndeshje pa koreografi, sot aleancë me polici”. – Ultrasit e kuq shpalosën edhe disa banderola fyese ndaj kundërshtarëve.

TIFOZËT E TIRANËS

– Në fillim të gjithë tifozët e Tiranës shpalosën një fletë të madhe të bardhë, ku ishin shkruar vitet e titujve të fituar.
– “1 kryeqytet, 1 kryeskuadër, 1 kryevepër – Tirana”.
– Në pjesën e dytë ultrasit shpalosën një banderolë të madhe vertikale, të montuar në një skelet enkas, ku ishte vizatuar simboli i bashkisë dhe luani që mbante në duar dy morra të kuq.


Hoxha: M’u deshën 20 minuta të hyja në lojë


Portieri i Partizanit, Alban Hoxha, ishte një prej më të mirëve në fushë. Gardiani e shpëtoi skuadrën e tij në disa momente nga gola të sigurt, duke rezultuar vendimtar me pritjet e tij. Në fund të ndeshjes, e cila ishte e para derbi për të, Hoxha u shpreh: “M’u deshën 20 minuta për të hyrë tamam në lojë. Ishte një atmosferë mjaft e ndezur, aq sa vetëm pas pak kohësh e mora veten. Ishte një përjetim shumë i bukur që ndodh ndoshta vetëm një herë në jetë. Për sa i takon lojës, bëmë një paraqitje të mirë. Megjithëse Tirana krijoi më shumë volum loje, futbolli i tillë është. Ne shfrytëzuam rastet tona dhe arritëm të shënonim një gol duke siguruar një 3-pikësh të rëndësishëm. Një fitore tepër e rëndësishme që na e rrit edhe më shumë moralin për ta vazhduar mirë këtë sezon që kemi nisur”. Me fitoren e djeshme ndaj Tiranës, Partizani tregon edhe një herë se është pretendent kryesor për të fituar titullin kampion. Në lidhje me objektivat që ka kjo skuadër, Hoxha deklaroi: “E shoh këtë ekip në 4-shen më të mirë të kampionatit në fund. Sigurisht, me kalimin e javëve synimet rriten. Duke parë këtë ecuri shumë të mirë deri tani, them se titulli është një gjë e arritshme. Megjithatë, mendoj se është ende herët për të folur në lidhje me titullin. Ka ende edhe shumë javë deri në fund dhe duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Janë edhe shumë takime deri në fund. Fillimisht të shijojmë këtë fitore të rëndësishme në derbi dhe më pas të mendojmë për sfidën e radhës”, – përfundoi Hoxha.

Hyshmeri: Ky triumf, për tifozët


Renato Hyshmeri provoi dje për herë të parë derbin Tirana-Partizani. Si pjesë e të kuqve, lojtari bëri një paraqitje shumë të mirë duke rrezikuar disa herë portën bardheblu. Në fund të ndeshjes ai tha: “Ishte një sfidë që e kishim vlerësuar maksimalisht. Një atmosferë spektakolare që dhuruan tifozët. Mendoj se kjo fitore u takon pikërisht atyre. Na kanë kërkuar që ta fitojmë derbin ndaj bardhebluve dhe ne ua plotësuam këtë dëshirë. Për sa i përket lojës, mendoj se bëmë një paraqitje të mirë. Vërtet shënuam duke përfituar nga një gabim i portierit të Tiranës, por besoj se e merituam këtë 3-pikësh me paraqitjen që bëmë. Duke parë këtë ecuri të deritanishme, mendoj se ekipi i ka të gjitha shanset për të synuar titullin kampion. Mundësitë janë të mëdha dhe e rëndësishme është që të vazhdojmë në këtë rrugë që kemi nisur. Ka ende shumë takime, prandaj duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë”, – përfundoi Hyshmeri.

Rrahmani, i mahnitur nga atmosfera


Amir Rrahmani ishte një prej shumë futbollistëve që luajti dje për herë të parë një derbi Tirana-Partizani. Kosovari bëri një paraqitje të mirë në sfidën ndaj bardhebluve, duke pasur edhe ai meritën për suksesin ndaj bardhebluve. Në fund të sfidës, në prononcimin e tij, ai u shpreh: “Ishte një ndeshje që mezi e prisnim. Gjatë të gjithë kësaj kohe, stafi teknik dhe drejtuesit e Partizanit na kishin folur për rëndësinë që ka një sfidë e tillë. Mendoj se bëmë një paraqitje të mirë dhe arritëm të fitonim me meritë. Kundërshtari na vuri disa herë në vështirësi, por ia dolëm ta ruajmë avantazhin deri në fund. Ecuria e deritanishme është shumë e rëndësishme, pasi qëndrojmë sërish afër skuadrave të tjera të kreut. Ishte diçka spektakolare të shihje mijëra tifozë që mbështesnin ekipin. Një fitore për ata që na e kanë kërkuar me ngulm gjatë gjithë kësaj periudhe”, – përfundon lojtari kosovar Rrahmani.

Krasniqi: Jemi për titull


Pas ndeshjes së djeshme, Gëzim Krasniqi u shpreh: “Ishte një sfidë spektakolare që nuk e kisha përjetuar asnjëherë. Një emocion i veçantë që ta fal vetëm një takim i tillë. Kjo fitore u përket vetëm tifozëve, pasi ata na dhanë emocione të veçanta. Gjatë gjithë kohës përpara kësaj ndeshjeje ishin pikërisht tifozët që na e kërkuan këtë fitore, dhe ne ia arritëm qëllimit. Duke parë këtë ecuri, mendoj se Partizani i ka të gjitha shanset ta fitojë titullin kampion”, – përfundoi prononcimin e tij Krasniqi.

Mema: Partizani e meritoi fitoren, bardheblutë gabuan


Sulejman Mema, trajneri që i ka drejtuar të dyja skuadrat legjendare, Tiranën dhe Partizanin, deklaroi dje për “Supersport” se të kuqtë e merituan fitoren. “Mendoj se Partizani e meritoi fitoren. Kjo ndeshje u vendos nga një episod, që erdhi për gabim të portierit. Më duhet të theksoj se sulmuesi Çota ishte shumë konfuz, por jo vetëm ai. Më vjen keq, pasi një lojtar i tillë ka bërë mirë te Teuta. Partizani luftoi mirë në mbrojtje, ishte e mirëvendosur dhe për këtë i bëj komplimente edhe portierit Hoxha, që mbrojti me dinjitet portën. Dua që ta theksoj që Tirana bëri një gabim trashanik te goli që pësoi dhe kjo vendosi ndeshjen. Partizani u tregua më pragmatist, ndërsa Tirana ishte shumë e acaruar në fushë. Ndeshja u zgjidh më thjesht nga sa pritej për Partizanin, ndërsa bardheblutë nuk arritën të shfrytëzonin të gjithë cilësitë që kanë”, – deklaroi ish-trajneri i mirënjohur.

Babasi e ka me gjykimin dhe federatën: Po na ndëshkojnë


Ndriçim Babasi e ka me gjykimin dhe federatën, e cila sfidë pas sfide sipas tij po e ndëshkon Tiranën. Nga ana tjetër, donatori i bardhebluve tregon se as ekipi dhe as trajneri nuk kanë faj në këtë humbje. “Na u mohuan penallti, nuk po them dy, por të paktën atë të Muçës mund ta jepnin, kur topi u duk sikur u prek me dorë prej kundërshtarit. Gjykimi po kthehet në një problem, edhe sot kur përkrah meje ishte presidenti i FSHF-së ndodhi e njëjta gjë. Për hir të futbollit shqiptar dhe tifozllëkut, që më në fund mbushi stadiumin dhe ndezi shpresën që futbolli ka progres. Por me këtë arbitrim e me këta njerëz, dhe me këto veprime, po shohim vetëm regres. Unë herë pas here, duke parë këto banalitete në futboll, e vë në dyshim qëndrimin tim. Megjithatë, derisa erdha, nuk kam ndër mend të largohem. Nuk mund t’i lë kështu këta djem, duke qenë se nuk humbën ata dje, pasi ata bënë një paraqitje realisht të mirë. Unë do të kontaktoj me Armando Duka, pasi u bënë disa sfida që Tirana nuk po gjykohet mirë. Nuk është se më vjen mirë që këta arbitra rrinë të ngujuar, për frikën time apo tifozerisë, pasi nuk duhet të ndodhin gjëra të tilla. Por, njëfarë përgjegjësie duhet, pasi kështu nuk mund të vazhdohet. Mendoj se për të mos thënë trukim ndeshje, por themi që gjyqtarët po ndikojnë në rezultat. Ndaj, organet e drejtësisë në Shqipëri të marrin masa për këtë gjë.

 

Nuk është faji i trajnerit dhe as i lojtarëve për këtë humbje, apo se gaboi portieri. Unë nuk jam specialist, po kështu e gjykoj, portieri ynë gaboi në rastin e pësimit të golit. Ndaj, pas ndeshjes (mbrëmë), do pi një kafe me lojtarët për t’i falënderuar për atë çka dhanë në fushë. Ata nuk u dorëzuan, luftuan, zhvilluan futboll të bukur. Ndaj, nuk duhet të dekurajohen nga ndëshkimi i arbitrave, por t’i mbledhin forcat dhe të karikohen për ndeshjet e ardhshme. Pjesë tjetër e fajit për këto rezultate është edhe krijimi në limit i ekipit dhe ardhja jonë si donator me vonesë. Gjithsesi, nuk është kjo minuta për ta nxjerrë Tiranën jashtë loje. Nëse e ka federata në dorë këtë apo kolegji i arbitrimit, do i bëjmë thirrje që të mos na ndëshkojnë më. Nuk jam këtu për të thënë se vendimin do e marr personalisht, pasi mendoj se injoranca dhe babëzia, e kanë çuar deri në këtë pikë gjykimin sot dhe ndeshjet e tjera. Ndaj, të mos humbasim toruan dhe të ecim përpara. Ndoshta duan që të na rrëzojnë, por ne do kapemi në një degë”, – përfundoi Babasi.

Donatorët, mashtrim me shpërblimin surprizë për derbin


U diskutua se do të kishte premio për Tiranën. Në fakt, ekipi humbi, ndaj nuk pati mundësinë që t’i merrte ato parà. Mirëpo, edhe pse u premtua nga ana e donatorëve, lojtarëve nuk iu komunikua kurrë se do të kishte shpërblim, pra gjithçka rezultoi një mashtrim. Në fakt, publikisht u pranua se do të jepej një superpremio jo vetëm nga treshja e donatorëve, por edhe nga persona të tjerë, të cilët janë tifozë të bardhebluve. Lojtarët, nisur edhe nga ajo çka shkruhej nëpër gazeta, kishin menduar se para se të zbrisnin në fushë do t’u thuhej diçka, por një gjë e tillë nuk ndodhi kurrë. Futbollistëve u ishte thënë se një fitore në derbi do të vlente më shumë se çdo gjë tjetër. Madje u ishte theksuar se suksesi kundër Partizanit do të ketë jo vetëm vlerën e tri pikëve, por edhe me supershpërblim që ata do të merrnin. Premioja që drejtuesit diskutuan se do të jepnin, pritej që ishte realisht e majme, por gjithçka mbeti sekret, si para ashtu edhe pas sfidës. Madje, para se të thuhej që do të jepej para takimit me Partizanin, pritej të komunikohej mbrëmjen e së premtes, kur mund të zhvillohej një mbledhje mes ekipit dhe drejtuesve. Mbledhje nuk pati dhe gjithçka u shty për dje (para sfidës), por edhe dita e derbit kaloi pa u përmendur në asnjë moment surpriza e premtuar.

Muça: Meritonim më shumë, ndjesë tifozëve për zhgënjimin


Gentian Muça e ka të vështirë që ta komentojë humbjen. Fjalët e para ai tha për “Panorama Sport” u drejtoheshin tifozëve, të cilëve u kërkoi ndjesë për zhgënjimin. “Tifozët prisnin shumë nga kjo përballje. Neve na duhej vetëm fitorja, por sa fati, aq edhe rastet e dyshimta ndikuan në këtë sfidë. Nuk di ç’të them, fjalët do të ishin të tepërta në këtë rast. Thjesht u kërkoj falje tifozëve, pasi kishin ardhur aq shumë të karikuar në stadium dhe krijuan një atmosferë elektrizuese. Donim aq shumë që t’ua shpërblenim dhe një trepikësh ndaj Partizanit duhej vetëm për ata, për askënd tjetër. Kjo është e vetmja gjë që mund t’ju them”, – tha fillimisht mesfushori i Tiranës, i cili komenton edhe rastin kur pati mundësitë që t’i barazonte shifrat. “Mendova se shënova, por kur pashë që topi u ndal nga kundërshtari s’po u besoja syve. Ne krijuam volum loje, zhvilluam realisht një ndeshje të mirë. Mirëpo, mjafton një episod që të ndëshkohesh dhe fitorja shkoi për rivalin”, – përfundoi Muça.

“Dominuam lojën, por ishim pa fat”


Krenar Alimehmeti mendon se fati dhe pak gjykimi kanë qenë kundër Tiranës jo vetëm në derbi, por në disa takime. “Ekipi po tregon rritje dhe kjo të paktën na jep optimizëm për të ardhmen. Ta harrojmë këtë humbje dhe të nisim ringritjen. Sa i përket takimit, mendoj se ishim të pafat. Ne menaxhuam krejt lojën, krijuam volum, edhe raste, por u ndëshkuam pak nga fati, që ka disa javë që është kundër nesh. Pastaj, një tjetër ndikim ka edhe gjykimi. Mendoj se janë disa raste të dyshimta, të cilat duhen parë. Nuk dua që të bëjmë analizë, pasi kjo do i takojë moviolës. Por, sigurisht, ne kemi rezervat tona. E mira e madhe e këtij dueli ishte pikërisht stadiumi i tejmbushur, që dhuroi emocione pa fund. Tifozët tanë i falënderojmë, ndonëse na vjen keq që nuk u gëzuan me një fitore në fund”, – tha administratori.

“Duhet barazimi, do ishte më mirë kështu”


Endri Vrapi mendon se barazimi do ishte rezultati më i drejtë për këtë përballje. “Të gjitha ndeshjet që ka fituar Partizani në këtë kampionat kanë pasur të njëjtin skenar si sot. Mbase fati po i ndihmon në fillim, por shpresoj që me Bylisin të kemi ne pak më tepër fat. Mendoj se rezultati më i drejtë për derbin do të ishte barazimi, mirëpo kështu e ka futbolli. Krijon raste, bën gjithçka, por në fund janë pikët e fituara ato që vendosin. Pa dyshim, kjo humbje e rëndon më shumë situatën, sepse po humbe në derbi duhet kohë që ta marrësh veten. Shpresoj ta kalojmë sa më shpejt këtë situatë, sepse në prag kemi ndeshjen me Bylisin, një tjetër sfidë e rëndësishme për Tiranën. Derisa pikët janë në lojë, pse jo. Kemi forca dhe do ta kalojmë këtë situatë të rëndë. Më vjen keq për këtë humbje, pasi minimumi e meritonim një barazim, pikë e cila nuk do të dëshpëronte edhe tifozët”, – tha mbrojtësi.

“Ishim shumë lart, fatkeqësi që humbëm”


Mensur Limani s’e cilëson fatkeqësi humbjen, sidomos për mënyrën se si shkoi rrjedha e 90-minutëshit. Sipas mesfushorit kosovar, Tirana dominoi takimin, por fati i ndëshkoi. “Zhvilluam një lojë realisht të mirë dhe është fatkeqësi që humbëm. Nuk e prisnim të shkonte kështu. Krijuam volum dhe disa herë e vumë në vështirësi kundërshtarin, por gjithçka u vendos nga një episod. Falënderojmë tifozët për mbështetjen që na dhanë dhe për spektaklin që dhuruan dhe pikërisht për ata na vjen keq që fundi ishte i hidhur. Duhet të përligjnim atë interes me një trepikësh, por jo vetëm fati, por edhe disa vendime të dyshimta të gjykimit, patën ndikimin e tyre. Tashmë nuk na mbetet tjetër gjë, veçse ta harrojmë shpejt edhe këtë disfatë dhe të mendojmë për të ardhmen. Situata në renditje s’është e mirë, ndaj t’i mbledhim forcat dhe të gjejmë rrugën e kthesës”, – u shpreh Limani pas derbit.

“Ne shkëlqyem, por fitoi antifutbolli”


Vedran Gerc e cilësoi këtë ndeshje si më të bukurën për Tiranën, teksa për gazetën në fund të ndeshjes tha: “Tirana luajti ndeshjen e saj më të bukur në këtë kampionat. Duke zhvilluar një lojë të mirë dhe duke bërë një takim pozitiv, ne meritonim më shumë. Besoj se kjo që shfaqëm ndaj Partizanit tregon se ekipi është në rrugën e duhur dhe më e mira do të vijë. Dëshpërimi më i madh nga kjo humbje ka lidhje me stafin drejtues dhe tifozët, që prisnim shumë nga ky derbi. Tifozët na kanë mbështetur pa masë sot, prandaj duhet të luajmë si sot e t’i kënaqim ata që po na qëndrojnë pranë. Atmosfera ka qenë mjaft e bukur, më ka befasuar dhe i dha bukuri më shumë derbit. Humbëm 1-0, por të gjithë e panë që në 35 minutat e fundit Partizani nuk luajti futboll. Sot e nisa nga stoli, nesër mbase nga minuta e parë, gjithçka vendoset nga stafi. Besoj se kemi ekip të mirë dhe do t’ia dalim”.

Thanë para derbit
PARTIZANI

HASAN LIKA: “Lojtarëve po u mësojmë edhe historinë e derbit dhe të Partizanit. Është tradicionale dhe vlen sa të tjetër, 3 pikë”.

YLLI SHEHU: “Partizani e kaloi të keqen, Tirana drejt rrokullisjes. Partizani është i etur dhe do ta kërkojë më me ngulm fitoren”. Skerdi Bejzade: “Deden e kam mik, prandaj e dua X derbin”.

NIKOLIN ÇOÇLI: “Derbi si trajner mbetet emocion i pakrahasueshëm. Nuk ka favoritë. Duke qenë se punoj te Partizani, dua që suksesi t’u buzëqeshë të kuqve”. Ledio Pano: “Dëshira ime, dhe besoj e shumë tifozëve të Partizanit, është fitorja. Jam tifoz i Partizanit, por përtej kësaj jam i bindur se do fitojë, qoftë edhe me një rezultat minimal 1-0″

MENTOR MAZREKAJ: “Tiranën s’e njoh, por e mundim në derbi”.

RENATO HYSHMERI: “E rëndësishme është që do të jetë një takim i bukur dhe do të ketë mijëra tifozë në shkallët e stadiumit. Do të bëjmë gjithçka në fushë dhe besoj se do arrijmë të dalim me rezultat pozitiv”.

TIFOZËT-EKIPIT: “Ky takim do të thotë gjithçka për ne, nuk vlen 3 pikë e as për klasifikim, pasi është vetë historia e Partizanit që nga 1946-ta. Gjithë vitin ne ju mbështesim. Të shtunën është radha që ju të luani një ndeshje për ne, pra duam veç fitore”.

TIRANA


AGUSTIN KOLA: “Ky do jetë një derbi ndryshe, por me emocione të njëjta. Spektakli më i madh do jetë në tribuna dhe jo në fushë. Ky duel në kohën tonë na shkaktonte pagjumësi për ditë me radhë dhe armiqësi me shokët. Kemi qenë shokë fëmijërie, por kur afrohej derbi, një javë para dhe një javë pas, nuk flisnim, ishim armiq në fushë. Tani gjithçka është më ndryshe”.
INDRIT FORTUZI: “Unë kisha ‘abone’ te porta e kuqe, por druaj se këtë herë s’do ketë gola. Spektakli do vijë nga tribunat, madje kam frikë që ndeshja do përfundojë 0- 0. Shpresoj që të ndodhë ndryshe, pasi në të kundërt do ishte një zhgënjim i madh për tifozët. Më vjen habi me terapinë që trajnerët po u bëjnë lojtarët. Ne, kur vinte derbi, karikoheshim vetë”.

ANDI LILA: “Derbet janë ndeshje që përjetohen shumë nga lojtarët, drejtuesit dhe tifozët gjithashtu. Kam shënuar në një derbi dhe pa dyshim që për mua ka qenë më spektakolari. Edhe këtë herë do ketë të njëjtën atmosferë. E kam të vështirë që të bëj parashikime, ndaj nuk mund të them një rezultat të saktë. Por, mendoj se do të fitojë Tirana në minutën e fundit”.

SULEJMAN MEMA: “Kur u bëra trajner i Partizanit, lajmi në shtëpinë time u prit shumë keq. Madje, vajzat ishin ato që reaguan ashpër ndaj vendimit tim, duke qenë se ne jemi familjarisht tifozë bardheblu. Që pas largimit situata u qetësua. Sa i përket derbit, mendoj se nisur nga problematikat e të dyja klubeve, nuk do të jetë aq i nxehtë si në të shkuarën. Megjithatë, mendoj se emocionet do përjetohen njësoj”, – tha Mema.


STATISTIKAT PËR DERBIN


Ndeshjet - 136 takime janë luajtur deri tani mes Partizanit dhe Tiranës në të gjitha kompeticionet: kupë dhe kampionat.


Bilanci - Partizani ka fituar më shumë se Tirana në derbi, plot 54 ndeshje, ndërsa bardheblutë numërojnë vetëm 42 fitore. 40 ndeshje të tjera kanë përfunduar në barazim.


Golavarazhi - 197 gola ka shënuar skuadra e kuqe, përkundrejt 158 të bardhebluve. Golin pararendës të këtij të sotmit, me autor Demirin, në derbi e ka shënuar Mirel Çota për Tiranën, në përballjen e 3 tetorit 2012.


Historia - Takimi i parë mes Tiranës dhe Partizanit është luajtur më 30 mars 1947. “Demat e kuq” fitonin 8-0, duke sigluar kështu edhe fitoren më të thellë deri tani në derbi.
Shpagimi - Sakaq, më 22 shtator 1985, Tirana do i kthente reston Partizanit teksa e mundte 7-3, në një ndeshje që mbahet mend nga tifozët e të dyja skuadrave për lojën e bukur.

Rezultati - Barazimi 2-2 është edhe rezultati që është sigluar më së shumti në ndeshjet derbi mes Partizanit dhe Tiranës, plot 27 herë në 40 barazime.

Demokracia - Pas viteve ’90 janë zhvilluar 49 ndeshje derbi, nga të cilat 25 janë fitore të Tiranës, 11 barazime dhe vetëm 13 janë fitore për Partizanin. Golavarazhi: 69-49 për Tiranën.




Artikujt e fundit


Reklama

Reklama