Derbi i kryeqytetit, Rama prenoton... tribunen
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Jemi mësuar të shohim shpesh personalitete, qeveritarë, drejtues të opozitës, por edhe shumë njerëz televizivë në tribunën VIP, sa herë që kampionati shqiptar ofron një superndeshje dhe me shumë emocione. Natyrisht, është rasti për të kaluar dy orë të mira dhe për të qenë pak larg problemeve. Dhe Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, ndryshe nga Sali Berisha, i cili ka qenë vetëm në ndeshjet e Kombëtares, tek Shqipëri-Norvegji herën e fundit, ka një tjetër pasion: derbin e kryeqytetit. Partizani-Tirana është gjithmonë një sfidë për t’u respektuar dhe për t’u ndjekur me shumë interes.
Dhe të shtunën, në orën 20:00, kryeministri i vendit, sipas “Sport Ekspres”, do të jetë ulur në tribunën VIP, përkrah kreut të Federatës, Armand Duka, që megjithatë ende s’e ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Natyrisht, një mundësi nga afër për të shijuar spektaklin e tifozerive, por edhe për të parë stadiumin “Qemal Stafa” në këtë gjendje të mjerueshme dhe për të ndikuar tek përshpejtimi i zgjidhjes për tenderin dhe për stadiumin e ri. Herën e fundit që ka qenë në stadium, ka disa vjet, por këtë herë pritet që entuziazmi tek Edi Rama të jetë edhe më i madh, pasi është bërë pjesë e futbollit, dashur pa dashur.