e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Triplete e Gashit dhe akuzon trajnerin e kombetares: De Biazi me befasoi...

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Triplete e Gashit dhe akuzon trajnerin e kombetares: De Biazi me befasoi...

Super Shkëlzen Gashi. Mesfushori me tipare sulmuese i Kombëtares shqiptare ka shënuar tre gola në fitoren e djeshme 4-2 të skuadrës së tij Grasshopers ndaj Sionit të Vullnet Bashës (nuk ishte as në stol). Gashi do të hapte serinë e golave në minutën e 22-të: Kaio gjuan në drejtim të portës, por portieri nuk arrin ta zotërojë topin. Aty gjendet në momentin e duhur pikërisht Gashi, i cili fut këmbën duke e dërguar topin në rrjetë. Por, shou i Gashit sapo ka filluar.

Minuta e 29-të dhe Ben Khalifa, pasi kalon në të majtë të sulmit, kroson në zonë, aty ku Gashi gjuan me kokë një parabël të paarritshme për portierin duke i dyfishuar shifrat. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë. Në të dytën, është sërish Gashi protagonist, teksa gabon një penlalti në minutën e 48-të. Topi u ndal në tra. Sakaq, miqtë arritën të barazonin falë dy golave të Leo Itaperuna në minutat 56 dhe 61. Mirëpo, në minutën e 66- të është Dabur, që e kalon sërish Grasshopersin në avantazh dhe është pikërisht asisti i Gashit. Ky i fundit hyn në zonë nga e djathta e sulmit të Grasshopersit, pason tokazi, aty ku Dabur shumë pranë portës nuk gabon.

Ndërsa, në minutën e 81-të, Gashi do të vuloste rezultatin. Në këtë aksion do merrte pjesë edhe lojtari tjetër i Kombëtares shqiptare, Amir Abrashi, i cili hyri në fushë në minutën e 45- të në vend të Ben Khalifa. Pas një kundërsulmi, Abrashi pasoi me kokë në të majtë për Gashin, i cili sapo futet në cepin më të largët të zonës, lëshon një predhë në diagonale me të majtën, me topin që u ndal në trekëndëshin e majtë të portierit. Super, supergol i Gashit, i cili nuk e fsheh më pas edhe emocionin e kësaj triolete. “Ishte tripleta e parë e imja në Zvicër, por nga tre golat më shumë më pëlqeu i treti. Për momentin jemi në vend të dytë, por kemi ende shpresa për të fituar titullin. Do të bëjmë të pamundurën deri në javën e fundit të kampionatit”, – ka pohuar fillimisht mesfushori kuqezi në një prononcim për “Panorama Sport”. Më pas, ai ka folur edhe për Kombëtaren shqiptare, duke lëshuar një lloj akuze indirekte karshi trajnerit De Biazi. Sipas tij, ishte e pakuptueshme fakti që ai u la jashtë skuadre për miqësoren me Maltën.

“U befasova që nuk u grumbullova në Kombëtare për ndeshjen me Maltën. Nuk kam folur me trajnerin De Biazi, por dua të sqaroj se unë e refuzova Zvicrën për të luajtur për Shqipërinë, ndërsa tani nuk grumbullohem. Porsa i përket debatit mes Shqipërisë dhe Kosovës, e kam vendosur të mbroj ngjyrat kuqezi, pra të Kombëtares shqiptare. Ujkani? Secili duhet ta dijë vetë të ardhmen dhe të vendosë për të, ndaj nuk më takon mua të paragjykoj vendimin e tij”, – përfundoi Gashi.

Për momentin, Shkëlzen Gashi është golashënuesi më i mirë i Grasshopersit me 9 gola, si dhe i katërti në listën e goleadorëve të elitës së futbollit zviceran, pas Gavranoviç (Zyrih) e Martinez (Jang Bojs) me 11 gola dhe Streler (Bazel) me 10 gola.