e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Deputeti Buzhala kunder Dukes: Do bej tifo per Zvicren

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Deputeti Buzhala kunder Dukes: Do bej tifo per Zvicren
Ndeshja mes Zvicrës dhe Kosovës, që do të luhet sonte në stadiumin e Lucernës, në orën 20:30, duket se i ka kaluar caqet e fushës së blertë dhe kornizat e sportivitetit. Të paktën në deklaratat para përballjes mes dy kombëtareve. Shkak për këtë është bërë prania e pesë kosovarëve në radhët e kombëtares helvete, tre prej të cilëve: Shaqiri, Xhaka dhe Behrami, janë pjesë e formacionit titullar të Otmar Hicfeldit. Qëndrimeve dhe pozicionimeve të sportdashësve shqipfolës në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Diasporë etj, ditët e fundit u janë bashkuar edhe dy politikanë: Pandeli Majko në Tiranë, ish-kryeministër i vendit, dhe Berat Buzhala në Prishtinë, deputet i PDK-së në qeverisje.

Nga sa kuptohet, një shtysë të madhe në këto “llogore” të krijuara virtualisht e mediatikisht, të paktën, ka dhënë deklarata e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, pas fitores me Qipron. Numri një i futbollit shqiptar ka shigjetuar futbollistin kosovar të Zvicrës, Granit Xhaka, duke pohuar: “Nuk me intereson asnjë lojtar i kombëtares zvicerane. Për mua ajo ndeshje konsiderohet si takim i radhës ndaj një ekipi shumë të fortë. Një kundërshtar pjesërisht shqipfolës. Xhakës duhet t’i vijë turp që mendon t’i shënojë gol skuadrës që mban emrin e vendlindjes së gjyshit të tij.”

Të hënën ishte Pandeli Majko, që nuk i vlerësonte e konsideronte tradhtarë pesë kosovarët e helvetikëve, ndërsa nuk ka vonuar Berat Buzhala në Prishtinë, që t’u shtohet radhëve të atyre që kundërshtojnë Dukën. Përmes profilit të tij në Facebook, siç njoftojnë edhe mediat koovare, deputeti i PDK-së në Kosovë ka “njoftuar” atë sonte në mbrëmje do të jetë tifoz i kombëtares së Zvicrës, me të cilën luajnë Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemaili dhe Armend Mehmedi. “E njoftoj kreun e Federatës Shqiptare te Futbollit, z. Armando Duka, se të martën mbrëma unë jam tifoz i ekipit të Zvicrës, gjegjësisht ekipit të Shaqirit, Xhakës, Behramit, Xhemajlit, Mehmedit etc.

Që 30 vjet jam tifoz i Shqipërisë. Ka kaq vjet që z. Duka më ka dhuruar vetëm dëshprim, e tash i njëjti e ka guximin të flasë dhe të gjykojë të tjerët – e sidomos djemtë e ndershëm dhe puntorë si Xhaka e Shaqiri – për cështje të patriotizmit”, shkruan Buzhala në Facebook.