e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Te rritur jashte, por me zemer te Shqiperia

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Te rritur jashte, por me zemer te Shqiperia
A duhej të luanin Shaqiri, Xhaka, Behrami, Xhemaili e Mehmedi për Shqipërinë, apo bënë mirë që zgjodhën Zvicrën? A janë ndjekur këta të fundit nga vëzhguesit e Federatës Shqiptare të Futbollit para se të pranonin ftesën e helvetëve, apo ekziston edhe mundësia që askush nga FSHF-ja të mos jetë kujtuar për ta? Pse, në ndryshim nga Shaqiri për shembull, Lorik Cana zgjodhi të luante për Shqipërinë, ndonëse në xhep kishte si pasaportën zvicerane dhe atë franceze?

Tërë këto pikëpyetje e kanë nxehur së tepërmi debatin e ditëve të fundit, aq sa në njëfarë mënyre duket se është sfumuar disi edhe arsyeja për të cilën dy ekipet përfaqësuese do të zbresin sonte në fushën e Luzernës. E nëse analizojmë me kujdes ecurinë e pesë lojtarëve që aktualisht mbrojnë ngjyrat e skuadrës zvicerane, në pamje të parë të duket se ata nuk kanë bërë asgjë për të cilën duhet të turpërohen apo të ndihen keq për zgjedhjet që kanë bërë. Fakt është se nga Behrami e deri te Shaqiri dhe Xhaka vërtet vijnë nga familje kosovare ose shqiptaro-maqedonase (rasti i Xhemailit dhe Mehmedit), por ata janë edukuar që në moshë të vogël dhe janë rritur në akademitë e futbollit në Zvicër.

Madje jo vetëm këta, por edhe 7 lojtarët e tjerë me origjinë jozvicerane (Johan Dzhoru – Bregu i Fildishtë; Rikardo Rodriguez – Spanjë; Gokhan Inler – Turqi; Gelson Fernandes – Kepi i Gjelbër; Josip Drmiç – Kroaci; Eren Derdijok – Turqi dhe Mario Gavranoviç – Bosnjë- Hercegovinë), që janë pjesë e përfaqësuese që drejtohet aktualisht nga Otmar Hitcfeld, janë prodhim i shkollës zvicerane. Kësisoj, federata e këtij vendi ka të gjithë të drejtën sublime të pretendojë që ata të mbrojnë denjësisht vetëm ngjyrat e Zvicrës, meqenëse kanë qenë pikërisht klubet e këtij vendi që kanë investuar në rritjen e këtyre lojtarëve. Deri këtu e drejta anon nga Zvicra.

Mirëpo, fakt tjetër i pakontestueshëm është se jo vetëm këta të pestë kanë qenë prodhim helvet, pasi vetëm aktualisht në ekipin tonë përfaqësues janë të paktën 8-9 lojtarë që nuk kanë dalë nga shkollat e klubeve të Superiores, por gjithsesi kanë kërkuar dhe pranuar të luajnë vetëm për Kombëtaren e Shqipërisë. Rasti i Lorik Canës është një nga më të shumtit, por para tij edhe lojtarë të tjerë si Besnik Hasi, Arjan Beqaj, Besart Berisha, Mehmet Dragusha etj. janë rritur si futbollistë në klube të huaja dhe më pas kanë veshur fanellën e Kombëtares kuqezi.

Ose rasti i Burim Kukelit, i cili është rritur në të njëjtën skuadër me kapitenin aktual të Zvicrës, Gokhan Inler (turk), por në ndryshim nga ky i fundit, 28- vjeçari pranoi ftesën e përfaqësueses së vendit të origjinës. Kështu që, përpos asaj që kanë pohuar në intervista të ndryshme, kryesisht në mediat kosovare, Shaqiri & CO, duhet thënë se zgjedhja e tyre më shumë sesa me këmbënguljen ose jo të federatës sonë, ka të bëjë me vullnetin dhe dëshirën e tyre për të luajtur për Zvicrën, duke anashkaluar kësisoj (praktikisht me vetëdije) përfaqësuesen kuqezi.