Demiraj: Fitoret nuk na i ka falur askush
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Apolonia nuk di të ndalet.
Ajo ka regjistruar fitoren e tetë radhazi në fazën e dytë.
Kësaj here fierakët kanë arritur të triumfojnë në një ndeshje të vështirë në transfertë ndaj Dinamos 1-0. U ka mjaftuar një gol i kapitenit Dimo për të marrë tri pikë të arta.
Zëvendëstrajneri i Apolonisë, Elidon Demiraj, u shpreh për "Panorama Sport":
"Në sajë të një loje kolektive, ku binte në sy përgatitja e lartë fizike e tekniko-taktike, dhe duke pasur dhe një psikologji më të lartë se kundërshtari, arritëm që të shënonim me anë të kapitenit Dimo që në minutën e 16-të. E dinim se kundërshtari do të reagonte pas golit.
I këshilluam lojtarët tanë të luanin me qetësi e mos të binin pre e presionit të kundërshtarit. Por fierakët kishin edhe fatin me vete", tha fillimisht numri dy i Apolonisë. Më tej, Demiraj shprehet se Apolonia është në rrugën e duhur drejt Superiores.
"Fitoret e arritura nuk na i ka falur askush, por i kemi merituar. Skuadra ka mentalitet fituesi dhe lojtarët japin maksimumin në fushë duke besuar deri në fund te fitorja. Nuk kemi kohë për të festuar fitoren e radhës, pasi duke filluar nga nesër (sot) do të na duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës që do të luajmë ndaj ekipit kryesues, Luftëtarit, në fushën tonë.
Është një ndeshje e rëndësishme kur dihet që diferenca është dy pikë dhe në rast fitoreje ngjitemi në krye të grupit. Ndaj, për ne ajo do të vlerësohet si një finale ku do të kërkohet motivim maksimal nga çdo lojtar si dhe një mbështetje e madhe nga tifozët", përfundoi Demiraj.
Përgatiti: Mikel Mbriçaj