Çelhaka: Përfituam nga mungesat e Erzenit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mesfushori Sajmir Çelhaka ishte pa dyshim njeriu i ndeshjes në fitoren ndaj Erzenit.
Pas kësaj fitoreje, e para për 2016-ën, Çelhaka tregohet i sinqertë teksa shprehet se përfituan nga mungesat e miqve.
"Kishim gabuar dy herë në Kavajë me Ilirinë e Burrelin dhe me Erzenin pritej patjetër fitorja. Më duhet t'ju them hapur se përfituam jo pak nga mungesat e miqve. Gjatë pjesës së dytë e kuptuam se mund të na përsëritej ndeshja e fazës së parë kur shijakasit na mundën në kohën shtesë.
Kjo bëri që të hidheshim në sulm për të shënuar sa më shpejt. Krahas përpjekjeve tona, këtë herë edhe fati na buzëqeshi duke shënuar shpejt dy golat e sigurisë. Sa për veten, kam bërë detyrën, edhe pse ndihem mjaft i gëzuar që falë edhe golave të mi erdhi kjo fitore.
Tashmë na pret transferta e vështirë në Krujë", u shpreh Çelhaka.
Pavarësisht fitores së merituar, trajneri Ilir Gjyla ka rezerva sesi ekipi pësoi dy gola aq kollaj. Gjyla deklaroi se Besa ka ende nevojë të korrigjohet për të mos pësuar aq lehtë duke rrezikuar fitoret siç ka bërë në shumë takime të humbura. Pas kësaj fitoreje, kavajasit luajnë në Krujë.
Përgatiti: Feriz Ferizaj