e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Demi, 30 mijë euro premio për triumfin në Durrës

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Demi, 30 mijë euro premio për triumfin në Durrës

Loja që Partizani tregoi nga Skënderbeu ka bindur të gjithë ata që e kanë parë ndeshjen, përfshi këtu edhe presidentin Gazmend Demi.gaz-demiKy i fundit në pushimin mes dy pjesëve është futur në dhomat e zhveshjes së lojtarëve dhe i ka komplimentuar për lojën, duke i thënë se sido që takimi të dilte, ishte i kënaqur. Një gjë të tillë, presidenti mësohet ta ketë konfirmuar edhe në aspektin financiar.

Burime të besueshme pranë klubit të kuq kanë konfirmuar se premio për fitoren ndaj Skënderbeut ishte 15 mijë euro dhe duke qenë se takimi përfundoi në barazim, lojtarët e kuq nuk prisnin shpërblim. Por me anë të një njoftimi nga klubi është bërë me dije se presidenti e ka lënë në fuqi premion e vendosur para sfidës me korçarët, duke e konsideruar si të fituar atë përballje.

Demi ka shkuar edhe më tej, duke i bërë me dije skuadrës se do të kenë një tjetër shpërblim të majmë në rast se marrin trepikëshin në përballjen ndaj Teutës, që do të luhet të dielën në transfertë.

Kështu që në rast fitoreje në Durrës, futbollistët e kuq do të përfitojnë në total 30 mijë euro, që duhet thënë se është një shumë mjaft e konsiderueshme. Kampionati ka hyrë në fazën finale dhe të kuqtë janë vetëm katër pikë larg vendit të parë. Objektivi titull vazhdon të jetë prezent dhe për këtë arsye, presidenti i të kuqve po motivon futbollistët e tij me çdo mënyrë.