Debuton Taulant Xhaka, De Biazi fton 19 kuqezinj per Malten
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi, ka publikuar listën për miqësoren e parë të këtij viti, që do të luhet më 5 mars ndaj Maltës në stadiumin Niko Dovana të Durrësit. 19 lojtarë të grumbulluar dhe shumë shkurtime, për të mos thënë skarcime nga skuadra. Ashtu siç kishte paralajmëruar Panorama Sport pak javë më parë, në Kombëtare është rikthyer sulmuesi që luan në Gjermani me FSV Frankfurtin, Edmond Kapllani, por gjithashtu edhe mesfushori Jahmir Hyka, i cili aktivizohet me Luzernën në Superligën zvicerane. Risia është mbrojtësi kosovar, Taulant Xhaka, vëllai i mesfushorit të Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka. Në fakt, nuk është një afrim që spritej, pasi vetë De Biazi e ka paralajmëruar muaj më parë.
Për lojtarin që aktivizohet me Bazelin në Zvicër, kjo ndeshje do të jetë debutim me fanellën kuqezi. Në krahasim me futbollistët që u grumbulluan në ndeshjen e fundit që Shqipëria ka luajtur (miqësoren ndaj Bjellorusisë më 15 nëntor të vitit 2013), trajneri ka ftuar sërish mesfushorin Ledian Memushaj, i cili luan me Karpin në Serinë B italiane. Nga ana tjetër, italiani i pankinës ka thirrur për këtë miqësore vetëm dy sulmues, teksa përveç Kapllanit është edhe Armando Sadiku.
Në portë janë grumbulluar Etrit Berisha e Orges Shehi, jo si në të kaluarën kur De Biazi merrte tre gardianë. Këtë herë mungon Samir Ujkani, i cili ka zgjedhur Kosovën, ndërsa gjithashtu edhe mbrojtësi Loret Sadiku nuk do të jetë. Ky i fundit ka bërë të ditur se do të luajë për Kosovën vetëm në miqësoren ndaj Haitit dhe, më pas, do të rikthehet te Kombëtarja e Shqipërisë. Megjithatë, në listë bën përshtypje fakti se janë lënë jashtë emra si Salihi, Balaj dhe Bulku, të cilët aktualisht po kalojnë një formë të mirë në klubet e tyre. Gjithashtu jashtë preferencave të trajnerit për këtë miqësore kanë mbetur edhe emra si Çani, Teli, Dallku, Gashi, Vajushi, Gjasula, Januzi, Mehmeti e Vangjeli. Nga kampionati shqiptar janë lënë jashtë Osmani, Arapi dhe Lilaj.