Kryeveper e Canes: Ishte gol instinkti, ia dedikoj familjes (Video)
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ai shënon pak, por gjithnjë gola spektakolarë dhe me peshë. E ka bërë këtë gjë në fillimet e tij me Lacion, në një ndeshje kundër Leçes. E konfirmoi po atë sezon ndaj Atalantës, ndërsa ka qenë heroi i kësaj skuadre në të paktën dy takime gjatë këtij edicioni: në javën e 13-të ndaj Sampdorias dhe mbrëmë në Firence kundër Fiorentinës. Bëhet fjalë për Lorik Canën, kapiteni i Kombëtares shqiptare, i cili nga mbrëmja e djeshme ka zënë faqet e para të mediave më prestigjioze sportive dhe jo vetëm në Itali. “Luftëtari” rikthehet titullar me Lacion, që pas ndeshjes me Juventusin dhe në harkun e vetëm pesë minutave shënon një gol të rrallë, spektakolar për nga mënyra e ekzekutimit, aq sa për dikë që nuk e di pozicionin se ku luan, do ta konsideronte një sulmues race.
Në fakt, Cana luajti në qendër të mbrojtjes në përballjen ndaj Fiorentinës dhe në daljen e parë serioze të kryeqytetasve në zonën e vendësve shfrytëzoi më së miri një top të ardhur në shtyllën e dytë dhe në një distancë rreth 10 metra nga porta, Cana tenton një roveshatë të jashtëzakonshme, e cila ndalet në rrjetë. Supergol i mbrojtësit kuqezi, i cili do të vijojë të mbetet i pandryshuar në tabelën e golashënuesve të këtij takimi, deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit. Sakaq, pas ndeshjes, Cana tregoi edhe emocionet e golit. “Ishte një ndeshje e rëndësishme dhe një fitore e bukur, përballë një kundërshtari të fortë, duke pasur edhe disa mungesa. Kur je në avantazh arrin që të jesh edhe më i qetë për ta administruar rezultatin dhe këtë sonte (dje) e bëmë më së miri. Goli? Nuk e mendova shumë se çfarë të bëja në atë moment dhe ndoqa instinktin.
E kam bërë këtë gjë edhe kur luaja me Marsejën dhe janë gjëra që vijnë nga e shkuara kur unë luaja si sulmues. Tani duhet që të shikojmë përpara dhe të mund të fitojmë edhe ndaj Atalantës. Këtë gola ia dedikoj familjes sime”, – tha Cana. Ky ishte goli i dytë i kapitenit të Kombëtares për këtë sezon në kampionat me fanellën e Lacios. Më parë ai ka qenë deciziv në javën e 13- të të kampionatit në transfertën ndaj Sampdorias. Ai shënoi në minutën e fundit shtesë të takimit (90+4’), kur rezultati ishte 1-0 për vendësit. Deri në atë moment lojtari shqiptar kishte bërë një ndeshje jo shumë të mirë, por mjaftoi ai gol, i cili i dha Lacios një pikë, që kapiteni i Shqipërisë të merrte një vlerësim ndër më pozitivët për atë ndeshje. Pas kësaj fitoreje, Lacio renditet në vend të tetë me 38 pikë. Berisha – Etrit Berisha nuk luajti në takimin e djeshëm, por ishte i gatshëm në stol. Sakaq, për këtë fakt foli edhe trajneri Edi Reja. “Berisha ka bërë shumë mirë dhe do të bëhet shumë shpejt portieri i parë i Lacios, por nuk e di kur do të jetë ky moment. Luajta me Marketin, për të treguar se gabimi në Ligën e Europës nuk duhet të mohojë vlerat e këtij lojtari”, – tha Reja.
Reagimet e mediave
“Corriere dello sport”: Cana, çfarë magjie! Lacio mund Fiorentinën
“Gazzeta dello sport”: Perla e Canës, Lacio fiton në Firence
“Cittaceleste.it”: Super-Marketi, Cana një luftëtar
“Fantagazzetta”: Mrekulli e Canës, Lacio fiton në Firence
“ItaSportPress”: Eurogol i Canës, hesht Firence
“La Stampa”: Cana mund i vetëm Fiorentinën
“Affari sul web”: Cana dhe Marketi, heronj në Firence