e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Debutimi me kuqezinjte, Basha optimist: Mund te shkojme ne Brazil

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Debutimi me kuqezinjte, Basha optimist: Mund te shkojme ne Brazil
Mesfushori kuqezi, Migjen Basha, duket se e ka shijuar së tepërmi debutimin e tij me ekipin Kombëtar të Shqipërisë, teksa djemtë e De Biasit arritën një fitore në transfertë 1-0 ndaj Norvegjisë, duke shtuar shpresat për një kualifikim të mundshëm në Botërorin e Barazilit.

Futbollisti kosovar, pranon se ka patur mjaft emocione në startin e takimit ndaj Norvegjisë, të cilat sipas tij erdhën duke u shuar nga minuta në minutë.

Ai shprehu lumturinë e tij për rezultatin e marrë në Oslo dhe beson se kuqezinjtë kanë gjasa për t’u kualifikuar për Botërorin, Brazil 2014.

Pas pothuajse tre vjetësh mbushur me kërkesa dhe insistime, FIFA më në fund pranoi kërkesën e Bashës për të luajtur me Kombëtaren shqiptare vetëm pak ditë para ndeshjes me Norvegjinë.

De Biasi i besoi një vend të rëndësishëm në skuadrën e përfaqësueses shqiptare dhe kosovari, i cili luan për Torinon në Serie A, nuk zhgënjehu aspak në debutimin e tij.

Paraqitja e Bashës ishte mjaft pozitive ndaj Norvegjisë ditën e premte, duke treguar se ai është një urë lidhëse mjaft e rëndësishme mes mbrojtjes dhe sulmit kuqezi.

“Isha shumë i emocionuar në fillim të ndeshjes, por dalëngadalë u ambientova. Ishte një fitore e merituar”, tha Basha për gazetën kosovare “Express”.

Falë fitores ndaj Norvegjisë, Shqipëria ndan vendin e dytë në Grupin E me Islandën, të cilët kanë nga 9 pikë, por Basha është mjaft optimist dhe beson tek kualifikimi i kuqezinjve.

“Besoj që kemi shanse të mira për kualifikim. E kemi Zvicrën afër dhe ky ekip do të vijë në Shqipëri për të luajtur”, vijoi Basha.

Basha mund të ketë një tjetër shans për të treguar vlerat e tij me skuadrën përfaqësuese ditën e martë, kur Shqipëria do të luajë ndeshjen miqësore ndaj Lituanisë.