De Biazi vlereson Berishen: Ka ende hapesira permiresimi!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Xhani De Biazi ka pak lojtarë të paprekshëm në formacionin e kombëtares shqiptare të futbollit. Dy prej atyre që për momentin gëzojnë këtë status, janë Etrit Berisha dhe Lorik Cana, që aktivizohen te Lacio në Serinë A, arsye më shumë pse italiani u beson verbërisht. Normalisht, sa herë që i jepet mundësia, tekniku italian edhe i promovon këta dy futbollistë kuqezinj në mediat e vendit të tij, siç ka ndodhur një ditë më parë në një deklaratë për “Radio IES 99.8”.
Për të, Etrit Berisha mund të kthehet shpejt në një nga portierët më të vlerësuar në qarkullim, pasi shqiptari ka ende shumë hapësira përmirësimi. “Berisha është një portier që vjen nga një vend ku nuk ka ‘shkollë’, gjithçka që ka bërë deri një vit më parë, e ka realizuar falë dhuntive natyrale dhe falë instinktit që zotëron. Duke punuar prej një viti në Romë është përmirësuar shumë, unë çmendem për portierë që më japin siguri, ai absolutisht ka perspektivë, e them pa frikën se mund të zhgënjehem. Ka shumë vetëbesim, por nuk është mendjemadh. Personaliteti që ka, e bën padron të zonës së vogël, është shumë i fortë në topat e lartë, i jep siguri të gjithë skuadrës. Duhet të përmirësohet me këmbë, sidomos në rivënien fundore. Ai gjuante penalltitë tek ekipi i mëparshëm, është i zoti në luajtjen e topit, ndaj nëse vazhdon të punojë siç po bën tani, i ka të gjitha letrat në rregull për t’u kompletuar e për t’u bërë një nga portierët më të mirë në qarkullim”, ishte përshkrimi që De Biazi bëri për portierin, të cilin e afroi për herë të parë në kombëtaren shqiptare dhe më pas e ktheu në një titullar të padiskutueshëm.
Fjalë po aq të mira kanë qenë edhe ato për kapitenin e kuqezinjve, Lorik Cana, i kthyer tashmë zyrtarisht në një qendërmbrojtës, duke i dhënë përfundimisht lamtumirën pozicionit të mesfushorit. “Mua më pëlqen aftësia e tij për të nisur aksionin, pastaj në lojën ajrore është thuajse perfekt. Të gjithë mund të gabojnë, të dielën e kaluar e bëri edhe shoku i tij i repartit te Lacio, De Vrij. Cana me Portugalinë nuk gaboi asgjë. Anuloi Eder dhe nuk vuajti me kampionë si Nani e Mutinjo”, tha De Biazi për një nga të paprekshmit e formacionit të Shqipërisë.