De Biazi, i lumtur per frymen brenda grupit kuqezi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Xhani De Biazi ka pranuar se çuditet gjithnjë e më shumë nga forca e grupit të lojtarëve të kombëtares shqiptare. Normalisht, në një ekip futbolli ka xhelozi mes futbollistëve që luajnë si titullarë dhe atyre që ulen në stolin e rezervave. Por trajneri ka pranuar se ka mbetur i çuditur nga fakti se lojtarët e kombëtares shqiptare nuk kanë ndjesi të tilla “armiqësore” ndaj njëri-tjetrit.
“Kemi një grup djemsh të fortë dhe sidomos të gatshëm për të sakrifikuar. Në Shqipëri kam zbuluar diçka të bukur, por edhe të çuditshme për mentalitetin e futbollistëve: nëse ulen në stolin e rezervave nuk ndiejnë xhelozi. Të gjithë besojnë tek ideja e unitetit dhe e dinë se mund të çojnë për herë të parë Shqipërinë në fazën finale të një Europiani”, ka treguar De Biazi në një intervistë për “Corriere Dello Sport”, ku ka dhënë opinionin e tij për skuadrat e vogla të cilat në eliminatoret e Euro 2016 kanë vënë në vështirësi ekipet e mëdha. “Skuadrat e vogla rriten, ndërsa kombëtaret e mëdha mbeten sipërfaqësore. Sipas meje, edhe Islanda (kryesuese e Grupit A të eliminatoreve) mund të shkojë në Europian. Mendoj se ajo ka lojtarë të një cilësie të mirë dhe ka një lojë shumë fizike. Sot mund të luhet mirë kudo, jo vetëm në vendet më të pasura. Kombëtaret e vogla rriten me organizim dhe mentalitet. Ne jemi një grup i përulur që punon shumë për të mirën e një kombi shumë krenar”, tha ai.
Trajneri ka shfrytëzuar këtë mundësi për t’u kujtuar të gjithë atyre futbollistëve që injoruan Shqipërinë se kanë gabuar në vendimin e tyre duke kërkuar famën me kombëtare të tjera. Shembulli konkret nuk mund të ishte askush tjetër përveç Adnan Januzajt, i cili zgjodhi Belgjikën, me të cilën në këto eliminatore ka luajtur vetëm 1 minutë. “Januzaj? Ka zgjedhur Belgjikën për shkak të babait të tij që dëshironte më shumë shikueshmëri. Me ne nuk pat asnjëherë një dialog, u soll shumë keq”, ishte kritika e De Biazit.