e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

De Biazi hedh syte edhe nga moshat

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
De Biazi hedh syte edhe nga moshat

Xhani de Biazi do t’i kushtojë më tepër vëmendje kombëtareve të moshave gjatë mandatit të dytë në drejtimin e kombëtares shqiptare. Trajneri italian këtë gjë e ka konfirmuar dje edhe përpara trajnerëve të përfaqësueseve të tjera në analizën vjetore të bërë në FSHF. Takimi ku përveç De Biazit ishin të pranishëm edhe ndihmësi i tij Paolo Tramexani, trajneri i U-21, Skënder Gega, trajneri i U-19, Foto Strakosha, trajneri i U-17, Xhemal Mustedanagiç (U-17), drejtori i ekipeve kombëtare, Redi Jupi dhe menaxheri i Kombëtares A, Alban Bushi, zgjati më shumë se tre orë. Përfundimi kryesor ishte se nga ky vit, të gjitha përfaqësueset do të mundohen të ndërtojnë një sistem të unifikuar rreshtimi dhe loje në bazë të kërkesave të kombëtares A. Por vetë De Biazi ka treguar se për të, më i rëndësishëm është bashkëpunimi më i ngushtë me trajnerët e tjerë, si dhe fakti se do të ndjekë më afër futbollistët e talentuar shqiptarë.

Mund të na tregoni se për çfarë u fol në këtë mbledhje?

Le të themi se jemi munduar të bëjmë një mbledhje strategjike për të përcaktuar disi atë që është mënyra e punës për të kërkuar të lidhim bashkë të gjitha skuadrat, nga U-17 te kombëtarja A. Është bërë për të pasur një njohuri më të afërt mes ne trajnerëve dhe njëkohësisht të mundohemi të përmirësojmë punën që po bëjmë.

Pak kohë më parë, presidenti Duka tha se kombëtareve u ka munguar pikërisht një koordinim më i mirë…

Le të themi se presidenti ka parë disa gjëra që mund të ishin bërë në një mënyrë të ndryshme. Për mua, dy vitet e para kanë shërbyer për të pasur një panoramë të realitetit. Kam arritur që të përshtatem me atë që ishin metodat e punës. Jam munduar të punoj vetëm dhe ekskluzivisht me kombëtaren e madhe. Tani mendoj se bashkë me Redi Jupin do të kemi mundësinë që të bëjmë një punë më të organizuar. Ideja e përgjithshme është që kombëtaret të punojnë në sistem vijues për njëra-tjetrën, në mënyrë që në fund të ketë lojtarë të përgatitur për kombëtaren A. Kjo gjë ekziston, por mendojmë se tani do të kemi një vizion më të kompletuar dhe mbikëqyrje të gjithë asaj që ndodh.

Kjo metodë ekzistonte edhe në kaluarën? Cilat janë ndryshimet e kërkuara?

Një mënyrë do të jetë, për shembull, ideja e vlerësimit të ndeshjeve. Por kjo duhet të jetë një mënyrë ku secili nga ne sjell një kontribut për rritjen e tjetrit. Unë, në vijim, do të shkoj të ndjek nga afër ndeshjet e U-17, të U-19 dhe në televizion ato të U-21, sepse këto të fundit luajnë paralelisht me kombëtaren e madhe. Për shembull, unë mund të flas me Skënderin (Gega) dhe të them se sipas këndvështrimit tim, skuadra mund të punojë më mirë në një aspekt të veçantë. Të njëjtën gjë kam kërkuar nga ai, Xhemo (Mustedanagiç) apo Strakosha që të japin sugjerimet e tyre për ekipin tim. Kërkojmë një bashkëpunim më të zgjeruar jo të tipit sa mirë apo keq luajti ky apo ai futbollist, por si mund të punohet më mirë në aspekte të caktuara të lojës.

Kjo do të thotë se mbledhje si kjo e kësaj radhe do të zhvillohen më rregullisht?

Po, sigurisht!

Rezultatet e kombëtares U-21 nuk kanë qenë shumë të mira. Por sapo janë marrë lojtarë nga ekipi A, situata ka qenë më pozitive…

Unë jam i gatshëm që t’i lë çdo lojtar të mundshëm Gegës. Aktualisht kam dy të tillë, Kaçen dhe Hysajn. Nëse Kaçe na shërben ne, do të qëndrojë me skuadrën e parë, përndryshe shkon me U-21. Problemi është që datat janë të njëjtat. Nëse Hysaj nuk na duhet, do të kalojë edhe ai atje. Por gjithmonë duhet të ekzistojë mentaliteti që këta lojtarë të rinj, mund t’i japin një dorë ekipit të parë.

Herën e fundit keni thënë se na duhet një portier tjetër dhe një sulmues. Keni folur për Elezajn e Juventusit?

Për atë, apo Teqajn, apo Strakoshën. Mendoj se Shqipëria nuk do të ketë probleme në të ardhmen për portën, pasi kemi një titullar që është shumë i ri si Berisha, pastaj janë tre të rinj me një të ardhme të rëndësishme.

Po Ujkani?

Ai duhet të bëjë atë që duhet dhe të tregojë veten. Të gjithë janë në orbitën e kombëtares. Por siç e thashë herën e fundit, do të mundohemi të bëjmë një grup më të ngushtë lojtarësh, nuk do të ketë shumë ndryshime në kombëtare. Problemi ynë është që në repartin e avancuar kemi lojtarë që luajnë pak me skuadrat e tyre.

Si Salihi për shembull…

Shpresojmë që të kthehet në Europë dhe të luajë. E rëndësishme për mua është që ai të luajë.

Ashtu si Çani?

Unë pres që të kthehet përsëri Çani i fillimeve dhe të luajë rregullisht edhe me ekipin e tij.

Po Vajushi e Gjasula?

Janë të gjithë lojtarë që janë në orbitën e kombëtares. Asnjë prej tyre nuk është jashtë vëzhgimit tim.