e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Berisha si Pogba, okazion i rralle'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Berisha si Pogba, okazion i rralle'

Valmir Berisha është kthyer brenda pak javësh në një nga lojtarët më të kërkuar në Europë. Pas fjalëve të vetë sulmuesit 17-vjeçar, se tani ka oferta nga rreth 35 klube të ndryshme, ka folur edhe Alesandro Orlandi, përfaqësuesi i tij zyrtar në Itali, i cili ka konfirmuar se mes këtyre, tri janë skuadra të njohura të Serisë A. Për më tepër, ai është i bindur se kushdo që do të zgjedhë të investojë për të afruar këtë futbollist, do të bëjë një investim shumë të rëndësishëm, duke parë cilësitë e një sulmuesi që nuk ngurron ta krahasojë me emra të njohur si Inzagi dhe Trezege.

“Ai nuk ka të njëjtat karakteristika fizike dhe teknike me Ibrahimoviç, por në Itali mungon një finalizues i mirëfilltë si ai, një lojtar zone, një snajper i pagabueshëm. Shembulli konkret është Botërori i fundit U-17, ku ai ishte golashënuesi kryesor, bëri të gjithë golat me nuhatje para porte. Ai është një lojtar që luan me të majtën, i formuar fizikisht, sheh mirë portën. Është që nga periudha e Inzagit dhe Trezege që nuk shihet një lojtar zone si ai”, deklaroi menaxheri i futbollistit, i cili nuk ka hedhur poshtë mundësinë të luajë me kombëtaren shqiptare në të ardhmen.

Orlandi tregon se si cilësitë e futbollistit e kanë bërë atë një prej emrave më të kërkuar në qarkullim në arenën europiane. “Janë tri klube të mëdha italiane që e kërkojnë, por ka një konkurrencë të pamëshirshme nga jashtë. Në Itali po e monitorojnë. Por për momentin nuk ka asgjë konkrete, vetëm interesim dhe vlerësime të bëra nga ana e vëzhguesve të klubeve. Ai aktualisht nuk ka një çmim të mirëfilltë, le të themi se është si rasti i Pogba, pa një kontratë profesionisti me klubin e tij aktual, pasi është vetëm 17 vjeç. Ndaj ka kosto relativisht të ulëta për atë që do të bëjë një investim me perspektivë të sigurt për të ardhmen”, u shpreh përfaqësuesi i kompanisë që menaxhon të drejtat në Itali të këtij futbollisti.

Ndërsa e gjithë Europa është në ndjekje të këtij talenti, FSHF-ja nuk ka dhënë ende një version zyrtar të kontakteve me të. Pak kohë në parë, golashënuesi më i mirë i Botërorit U-17 deklaroi se pavarësisht interesimit të tij, ai nuk kishte marrë ftesë nga FSHF-ja për të veshur fanellën kuqezi, ndaj kishte zgjedhur Suedinë. E. Kuka