e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

De Biazi e nis butë me përqafime, batuta e vëzhgim special për secilin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
De Biazi e nis butë me përqafime, batuta e vëzhgim special për secilin

Të drejtuar nga tekniku Xhani De Biazi, kuqezinjtë kanë nisur përgatitjet për dy përballjet e radhës miqësore me Austrinë dhe Luksemburgun. Ato do t'i shërbejnë teknikut për të kontrolluar gjendjen e skuadrës, pasi jemi përpara një kompeticioni mjaft të rëndësishëm.de biazi mavrajNë kampin kuqezi mbizotëron një atmosferë pozitive, ku duket qartë ambicia e çdo futbollisti për të fituar fanellën e titullarit. Nën drejtimin e teknikut De Biazi dhe stafit të tij, skuadra dje ka zhvilluar stërvitjen e parë me uniformat e reja.

Seanca e parë

Ajo u shfrytëzua nga italiani për t'u njohur me formën e çdo futbollisti që ka thërritur për këto dy miqësore. De Biazi kërkon të jetë në dijeni të gjithçkaje për sa i përket skuadrës, ndaj ka biseduar thuajse me shumicën e lojtarëve kokë më kokë, për të mësuar mbi gjendjen e përgjithshme në të cilën ndodhen ata. Italiani ka shkëmbyer batuta me lojtarët, stafin dhe gazetarët e shumtë të pranishëm.

Përgatitjet

Të veshur me uniformat e reja, kuqezinjtë zbritën në kompleksin sportiv "Tropikal" për të nisur përgatitjet për dy përballjet miqësore. Seanca stërvitore nisi me përqafime dhe batuta mes futbollistëve. Menjëherë pas apelit të De Biazit, skuadra nisi nxehmjen e zakonshme, me vrapime të lehta dhe ushtrime me top për rreth 30 minuta.

Ndërkohë që kolegët merreshin me përgatitjen atletike, tekniku de Biazi vështronte një e nga një lojtarët, me qëllim që të kuptonte formën e tyre. Në seancën e parë stërvitore, skuadra nuk ishte e plotë, pasi Gashi dhe mbrojtësi Andi Lila nuk ishin të pranishëm, ndërsa Memushaj i padisponueshëm për shkak të një dëmtimi të lehtë. Megjithatë, italiani ka vënë në zbatim me grupin që kishte në dispozicion disa prej skemave që kishte përgatitur për seancën e parë stërvitore.