De Biazi, dilema para Sllovenise
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Dëmtimet, mungesat dhe forma e futbollistëve të veçantë ka bërë të lindin shumë dilema në zgjedhjet e trajnerit De Biazi për ndeshjen kundër Sllovenisë, me teknikun italian që do të presë deri në ditën e fundit para se të vendosë për skuadrën që do të hedhë në fushë. Duke pasur parasysh se Shqipëria luan dy ndeshje shumë të rëndësishme që nuk duhen humbur kurrsesi, që në takimin e së premtes kundër Sllovenisë do të kthehet formacioni me një sulmues të vetëm, ndërsa problemet e trajnerit italian kanë të gjitha lidhje me repartin e mesfushës.
Për sa i përket prapavijës, zgjedhjet e De Biazit janë thuajse përfundimtare, pasi me përjashtim të ndonjë dëmtimi gjatë këtyre ditëve, në ndeshjen e së premtes nga minuta e parë në fushën e lojës do të zbresin Berisha në portë dhe para tij nga e djathta në majtë do të rreshtohen Lila, Cana, Teli dhe Agolli. Ky është një rreshtim i kolauduar edhe në takimet e mëparshme të kuqezinjve, ndaj De Biazi do t’i besojë plotësisht këtyre futbollistëve edhe për takimin ndaj sllovenëve.
Emrat e lojtarëve që do të luajnë në mesfushë nga minuta e parë dhe detyrat që do të kenë në fushën e lojës janë problemet më të mëdha të trajnerit italian, i cili është i detyruar të presë përgjigjen nga FIFA për Amir Abrashin para se të marrë një vendim përfundimtar. Bulku, M. Basha, Rama dhe Vila janë për momentin emra të sigurt në formacion, ndërsa balotazhi për lojtarin e pestë të këtij reparti është mes Abrashit dhe Roshit. Këta dy emra mbajnë peng edhe rreshtimin përfundimtar për këtë sfidë.
Në variantin e parë, atë ku Roshi do të sigurojë vendin e titullarit, futbollisti i FSV Frankfurt do të rreshtohet në të djathtë të mesfushës, siç ka bërë shpesh gjatë këtij edicioni, ndërsa Rama do të jetë në të majtë. Qendra e mesfushës do të përbëhet nga M. Basha, Vila dhe Bulku, të cilët do të kenë për detyrë kryesore neutralizimin e aksioneve të mesfushës sllovene, ku aktivizohen shumë lojtarë me kualitet që mund të krijojnë vështirësi për prapavijën tonë.
Në variantin e dytë, atë me Abrashin mes titullarëve, në varësi edhe të përgjigjes nga FIFA për aktivizimin apo jo të tij, rreshtimi në mesfushë do të ndryshonte disi. Futbollisti i Grasshopers dhe Bulku do të bënin bashkë rolin e “digës” para mbrojtjes kuqezi, ndërsa M. Basha do të vendosej në rolin e regjisorit në këtë repart. Meqenëse ai po shkëlqen në një detyrë të tillë me fanellën e Torinos, De Biazi po mendon që të shfrytëzojë në maksimum futbollistin më në formë të përfaqësueses. Në këtë rreshtim pak më ofensiv se sa ai i pari, Vila do të zinte krahun e djathtë të mesfushës në vend të Roshit, ndërsa bashkë me M. Bashën dhe Ramën do të mbështetë sulmuesin e vetëm që do të aktivizohet në këtë sfidë.
Në sulm, zgjedhjet janë edhe më të kufizuara dhe për momentin, De Biazi po mendon t’i japë fanellën e titullarit Salihit, sulmuesit me më shumë minuta në këmbë në këtë periudhë të sezonit, me Çanin e Januzin në stolin e rezervave. Ndërkohë, aktivizimi i Mehmetit është vënë në dyshim si nga përgjigjja e FIFA-s, ashtu edhe nga dëmtimi që ka marrë në fundjavën e kaluar në ndeshjen me Olhanense. Gjithçka do të zgjidhet vetëm të enjten, në stërvitjen e fundit që skuadra do të zhvillojë në Slloveni, me De Biazin që do të përcaktojë vetëm atëherë se cili është rreshtimi me të cilin Shqipëria do të zbresë në fushë për të luajtur shanset e saj në rrugën drejt Botërorit Brazil 2014.
4-5-1
Berisha
Lila Cana Teli Agolli
Bulku
M. Basha Vila
Roshi Rama
Salihi (Çani)
4-2-3-1
Berisha
Lila Cana Teli Agolli
Bulku Abrashi
Vila M. Basha Rama
Salihi (Çani)
Lojtarët e grumbulluar për ndeshjet me Slloveninë dhe Islandën
Portierë: Samir Ujkani (Palermo), Etrit Berisha (Lacio), Orges Shehi (Skënderbeu).
Mbrojtës: Admir Teli (Karabak), Lorik Cana (Lacio), Andi Lila (PAS Janina) Tefik Osmani (Teuta), Renato Arapi (Skënderbeu), Elseid Hysaj (Empoli), Debatik Curri (Hoverla), Armend Dallku (Vorskla Poltava), Ansi Agolli (Karabak).
Mesfushorë: Jurgen Gjasula (Liteks Loveç), Ergys Kaçe (PAOK), Odise Roshi (FSV Frankfurt), Migjen Basha (Torino), Armando Vajushi (Liteks Loveç), Ervin Bulku (Sepahan), Valdet Rama (Real Vajadolid), Vullnet Basha (Sion), Amir Abrashi (Grasshopers), Sabien Lilaj (Skënderbeu), Emilian Vila (PAS Janina), Shkëlzen Gashi (Grasshopers).
Sulmues: Ahmed Januzi (Vorskla Poltava), Edgar Çani (Karpi), Hamdi Salihi (Jiangsu Sainti), Agon Mehmeti (Olhanense).
Eliminatoret Brazil 2014
Grupi E
Të premten
Norvegji-Qipro 19:00
Zvicër-Islandë 20:30
Slloveni-Shqipëri 20-30
Renditja
Skuadra Nd. P.
Zvicër 6 14
Shqipëri 6 10
Islandë 6 9
Norvegji 6 8
Slloveni 6 6
Qipro 6 4