De Biazi: Pas Sllovenise e Islandes, te ruajme serish vendin e dyte ne grup
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sllovenia dhe më pas Islanda. Dy ndeshje jashtë fushës, dy sfida të vështira, dy kundërshtarë që kërkojnë pikë përballë kuqezinjve, por gjithashtu edhe dy mundësi të cilat duhet të shfrytëzohen. Në rast të një rezultati pozitiv, ëndrra e një kualifikimi në Botërorin e Brazil 2014, do të jetë sigurisht edhe më reale. Kombëtarja shqiptare hyn në këtë mënyrë në javën më të rëndësishme të historisë së saj, pasi përpara janë dy ndeshje të cilat mund të vendosin fatin e këtyre eliminatore për djemtë e De Biazit.
Në rast se në përfundim të këtyre 180 minutave, që sigurisht do të jenë të zjarrta, kuqezinjtë do të jenë sërish në vend të dytë në Grupin E, atëherë që të gjithë do të fillojmë të mendojmë për të tjera histori, apo edhe të tjera ëndrra. Presioni, në përfundim të këtyre dy ndeshjeve do të rritet si për skuadrën tonë edhe për kundërshtarët. Në një grup kaq të ekuilibruar, mund të ndodhë gjithçka deri në ndeshjen e fundit. Ndërkohë, për trajnerin italian, Xhani De Biazi skuadra i ka që të gjitha mundësitë që të dalë me sukses nga këto dy sfida. Sipas tij edhe në raste të tjera ajo ka qenë nën presion e ia ka dalë që të marrë rezultatet e kërkuara.
“Dua ta filloj duke thënë se besoj se kjo skuadër ka treguar rritje në personalitet dhe se di të menaxhojë situatën, sado e vështirë që mund të jetë ajo. Ky është një grup i mirë futbollistësh, që di të përballet me kundërshtarin ashtu siç do të bëjmë në dy ndeshjet e radhës me Slloveninë dhe Islandën”, deklaron trajneri De Biazi. “Përtej këtij momenti të rëndësishëm, skuadra ka treguar në ndeshjet e mëparshme dëshirën me të cilën kërkon të ndjekë ëndrrën për të arritur në botëror.
Mendoj se çdo ndeshje ka historinë e saj dhe duhet përgatitur në mënyrën e duhur. Ne kundërshtarin e radhës, Slloveninë e njohim mirë dhe kemi parë edhe ndeshjen e fundit që zhvilloi përballë Islandës. Ata janë një skuadër e mirë e organizuar, por si çdo ekip kanë pikat e tyre të forta dhe të dobëta. Duhet të jemi të aftë të shfrytëzojmë këto të fundit”. Trajneri italian nuk e ka të plotë skuadrën për arsye të ndryshme, që vijnë si pasojë e dëmtimeve apo edhe e disa mos aktivizimeve. Italiani ndjen keqardhje, por nuk kthen kokën pas, duke vlerësuar futbollistët që ka në dispozicion për këto dy ndeshje.
“Më vjen keq që mungojnë disa futbollistë ashtu si dhe atyre i vjen keq për këtë mungesë në këto dy ndeshje kaq të rëndësishme për ne. Që të gjithë do të donin të luanin, e të jepnin maksimumin për kombëtaren. Megjithatë, pavarësisht mungesave unë e thashë se shkojmë në këto ndeshje duke ditur limitet tona dhe për të marrë pikë të rëndësishme, për sa i përket një kualifikimi të mundshëm. E rëndësishme është të arrijmë dy rezultate pozitive, nëse arrijmë dy fitore apo barazime pak rëndësi ka.
E rëndësishme është që të lëmë pas kundërshtarët. Unë e kam bërë të qartë se pres që në këto dy ndeshje të jemi në maksimumin tonë. Nuk do të kënaqesha në rast se do të merrnim minimumin e mundshëm nga këto dy përballje. Duhet të dimë se qëllimi për këto dy sfida është që të ruajmë pozicionin që kemi aktualisht në grupin tonë. E kemi kualitetin për të bërë mirë dhe gabimi do të jetë nëse nuk përgatitemi ashtu siç duhet. Megjithatë, skuadra deri tani nuk ma ka dhënë këtë përshtypje. Kemi pasur vazhdimësi në lojë dhe rezultate, gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Kjo skuadër është rritur në kualitet dhe në vetëbesimin tek forcat e veta".