e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

De Biazi: Kampionati shqiptar nuk ka lojtare qe bejne per Serine A

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
De Biazi: Kampionati shqiptar nuk ka lojtare qe bejne per Serine A

Xhani de Biazi nuk mendon se aktualisht në kampionatin shqiptar aktivizohen futbollistë që mund t’u interesojnë skuadrave italiane. Trajneri i përfaqësueses kuqezi, në një intervistë për mediat italiane, ka bërë të qartë se sipas tij, në Kategorinë Superiore nuk ekzistojnë futbollistë të nivelit të lartë dhe aktualisht, kombëtarja që ai drejton, i ka varur të gjitha shpresat te lojtarët që luajnë jashtë Shqipërisë.

“Më të mirët e kombëtares luajnë jashtë Shqipërisë. Nuk ndiej se duhet t’u sinjalizoj klubeve italiane ndonjë të ri që aktualisht luan në Superligën tonë”, ishin fjalët e trajnerit të përfaqësueses kuqezi. Në fakt, edhe statistikat e ndeshjeve të trajnerit italian në drejtimin e Shqipërisë konfirmojnë aktivizimin e paktë të futbollistëve të kampionatit shqiptar, të cilët bëhen pjesë e kombëtares thjesht për të plotësuar numrin apo për të ndihmuar një transferim të mundshëm të tyre jashtë. Gjatë eksperiencës së tij në stolin e kuqezinjve, italiani ka aktivizuar kryesisht në miqësore ata lojtarë të kampionatit shqiptar që ka grumbulluar. I vetmi që ka parë më shumë minuta edhe në ndeshje zyrtare, ka qenë Tefik Osmani, i cili zuri vend në prapavijën kuqezi falë mungesave të Canës, Mavrajt e Currit për dëmtime. Osmani kryeson listën e futbollistëve që luajnë në Kategorinë Superiore me gjashtë ndeshje të luajtura nën drejtimin e De Biazit, i ndjekur nga Sabien Lilaj (5), Hair Zeqiri (4), Gilman Lika (3), Orges Shehi (3), Franc Veliu (3), Renato Arapi (3), Gjergj Muzaka (2) dhe Emiliano Veliaj (1). Nga kjo listë shihet qartë mungesa e alternativave të nivelit të lartë nga kampionati shqiptar e si rrjedhojë, edhe përfundimi logjik i trajnerit se nuk mund t’u sugjerojë aktualisht ekipeve italiane emra lojtarësh që aktivizohen në vendin tonë.

Ndërkohë, De Biazi ka folur edhe për shpërthimin e Etrit Berishës te Lacio, me portierin që brenda pak ditësh është kthyer në idhullin e ri të skuadrës me paraqitjet e tij shumë të sigurta. Trajneri ka bërë të qartë se që në fillimet e tij, kur grumbulloi për herë të parë portierin e përfaqësueses kuqezi, ia kishte sugjeruar emrin e tij shumë klubeve italiane.

“Isha unë që e zbulova dhe e kërkova me ngulm në kombëtare. Luante te Kalmar, në Suedi, ndërsa ua sinjalizova shumë klubeve në Serinë A. Lacio u tregua shumë e aftë, sidomos drejtori sportiv i saj, Igli Tare, që arriti të mposhtte konkurrencën. Mendoj se klubi kryeqytetas ka bërë zgjedhjen e duhur. Etriti ka të gjitha karakteristikat e duhura për t’u kthyer brenda pak vitesh në një nga interpretuesit më të mirë të rolit të tij në Europë”, ishte deklarata e trajnerit të kombëtares. Berisha ka debutuar në kombëtaren kuqezi pikërisht nën drejtimin e trajnerit italian dhe që atëherë ka veshur në 14 ndeshje fanellën e përfaqësueses, duke u kthyer në një nga liderët e rinj të saj.


Berisha

Portieri ka luajtur 14 ndeshje me kombëtaren, duke qenë titullar në 13 prej tyre