e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Loret Sadiku zhgenjen FSHF-ne: Do luaj per Kosoven

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Loret Sadiku zhgenjen FSHF-ne: Do luaj per Kosoven

Bëri bujë të madhe derisa erdhi te Shqipëria. E kërkoi Suedia, e refuzoi, e kërkoi Shqipëria iu bashkua, por tani sërish ndërron mendje. Mos e quani tradhtar dhe as mashtrues, pasi ai ka vendosur tashmë të luajë për vendlindjen e tij. Fjala është për mbrojtësin më të mirë në ligën suedeze, Loret Sadiku. 22- vjeçari ka thënë me plot gojë dhe dukej më i vendosur se kurrë në fjalët e tij se do të vijë të luajë me Kosovën. Në një bisedë telefonike, mbrojtësi prishtinas ka uruar fillimisht për lejimin e miqësoreve të Kosovës, para se të jepte një përgjigje në lidhje me inkuadrimin e tij në Kombëtaren e Kosovës.


Deklarata “Normal që dua të luaj për Kosovën, pasi është vendi im. Kam dëshirë që të luaj dhe do ta pres një ftesë”, – u shpreh fillimisht Sadiku për gazetën “Arena”. Më tej, mbrojtësi i skuadrës suedeze Helsingborg ka deklaruar se nuk do të presë që Kosova të pranohet me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA, por do të bëhet pjesë e saj që tani, pra edhe për ndeshjet miqësore, jozyrtare. “Jam i gatshëm të luaj për vendin tim që tani. Edhe pse do të jenë vetëm miqësore, do të luaj dhe vetëm pres që të marr ftesë nga trajneri”, – deklaroi Sadiku, i cili dukej i bindur në fjalët që thoshte. 22-vjeçari më parë ka luajtur edhe për përfaqësuesen e Suedisë, për grupmoshat nën 21 vjeç, ku ka regjistruar tri ndeshje, ndërsa për Shqipërinë nuk ka pasur ende rastin të debutojë, ndonëse është grumbulluar në dy takime.


Shqipëria Sadiku është treguar disi më i ndrojtur kur ka folur për pjesën e Shqipërisë. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, ai ka deklaruar se është në mëdyshje. “Nuk e di se për kë do të luaj: për Kosovën, apo për Shqipërinë. Më parë duhet të flas me familjen time. Dua të flas qetë me ata. Më pas do të flas edhe me trajnerin dhe stafin për të parë se çfarë mundësish kemi. Nuk e kam vendosur ende përfundimisht”, – ka thënë Sadiku. Qendërmbrojtësi i Helsingborgut ka thënë se nuk ka asnjë kontakt me zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit prej më shumë se tre muajsh. “Herën e fundit kam biseduar me Bushin (menaxheri i ekipit tonë përfaqësues) tri muaj më parë”, – ka deklaruar futbollisti.


E ardhmja Pasi ka folur për përfaqësuesen e Kosovës, Loreti ka treguar edhe për disa oferta që kanë ardhur në drejtim të tij. “Menaxheri më ka treguar që janë disa oferta të rëndësishme, mirëpo emrat e klubeve nuk mund t’i them. Ende nuk e di nëse do të largohem apo do të qëndroj deri në verë. Do i shqyrtoj mirë ofertat që vijnë në drejtim timin”, – tha Sadiku. Gazeta ka mësuar se për lojtarin interesim kanë shprehur skuadra belge Bryzh, dy skuadra gjermane, Shalke dhe Shtutgart, si dhe disa ekipe italiane. Drejtuesit e Helsingborgut duan që ta shesin sa më parë, pasi për momentin lojtari nuk ka pranuar ta rinovojë kontratën, e cila i skadon këtë vit. Nëse Sadiku nuk rinovon, atëherë Helsingbogru rrezikon që ta humbë atë me parametër zero dhe pikërisht kësaj gjëje i druhen edhe drejtuesit.


“Sadiku është i mirëpritur te Kosova”


Trajneri i ekipit kombëtar të Kosovës, Albert Bunjaku, e ka mirëpritur vendimin e Loret Sadikut për të qenë pjesë e përfaqësueses. Bunjaku ka treguar se e njeh mirë Loretin dhe është në kontakt të vazhdueshëm me të, por që nuk ka harruar ta lavdërojë si një mbrojtës cilësorë dhe shumë i nevojshëm. “E njoh Loretin personalisht dhe më vjen mirë që i ka folur këto fjalë. Si ai, ashtu edhe të gjithë lojtarët e tjerë janë të mirëseardhur të luajnë për përfaqësuesen tonë”, – u shpreh fillimisht Bunjaku, i cili deklaroi se rikthimi i lojtarëve duhet të bëhet pasi të merren vesh me klubet dhe përfaqësueset ku luajnë. “Fillimisht lojtarët duhet të bisedojnë me klubet dhe përfaqësueset ku luajnë. Ata do të rikthehen të luajnë për Kosovën, por duhet të bëhet kjo me rregulla të plota”, – theksoi Bunjaku, i cili shtoi se gjatë javëve në vazhdim do të dalë me një listë të lojtarëve, në të cilën do të bëjë llogaritë për ndeshjet miqësore të Kosovës. Federatës së Futbollit të Kosovës dy ditë më parë iu bë i ditur lajmi nga presidenti i FIFA-s, Sep Blater, se do të ketë të drejtë të luajë ndeshje miqësore, por pa himn dhe emblema të shtetit të Kosovës, kjo natyrisht edhe për faktin që Kosova nuk njihet ende nga OKB-ja.


Shkëlqeu në Suedi, Loret Sadiku ndër më të mirët


Mbrojtësi kosovar është ndër më të mirët në Allsvenskan, Liga suedeze. 22-vjeçari përfundoi në vendin e pestë me skuadrën e tij, Helsingborg, mirëpo ka treguar paraqitje të shkëlqyeshme, gjë që ka bërë të vlerësohet lart nga mediat suedeze. Në 27 paraqitje për skuadrën e tij, Loreti ka arritur të shënojë edhe dy gola, ndërsa ka luajtur edhe një ndeshje në Kupën e Suedisë ku ka gjetur golin. Sakaq ai ishte pjesë e formacionit më të mirë të vitit të shkuar në kampionatin suedez së bashku me Etrit Berishën. Kujtojmë që lojtari është rritur në akademinë e IFK Varnamo dhe në 2012-ën kaloi te Helsingborgu. Drejtuesit e këtij klubi nuk patën shumë besim te Sadiku, e për këtë shkak i bënë një kontratë 2-vjeçare. Por mbrojtësi shpërtheu në 2013-ën, aq sa për të u interesua edhe kombëtarja suedeze, paçka se në fund vetë Sadiku e refuzoi.

“Suedia të mos gabojë më si me kosovarin”


Loret Sadiku është pengu i trajnerit të Suedisë, Erik Hamren. Edhe pse kanë kaluar muaj tashmë që nga vera e 2013-tës, kur qendërmbrojtësi shqiptar i Helsingborgut vendosi të zgjedhë Shqipërinë (ose Kosovën), përkundrejt Suedisë, tekniku i këtij vendi vijon t’i mëshojë faktit se drejtuesit e federatës gabuan që e lejuan këtë lojtar të ikte e të luante për Shqipërinë. Aktualisht kombëtarja suedeze (një pjesë e saj) ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku po zhvillon një fazë përgatitore para miqësoreve me Moldavinë dhe Islandën. “Nuk kam çfarë të them më shumë sesa: e respektoj vendimin e Miko Albornoz (ky i fundit ka zgjedhur të luajë për Kilin). Edhe ai, sikundër Loret Sadiku, janë rritur si futbollistë në Suedi, në klubet tona, por sot për sot nuk mund të kontribuojnë për kombëtaren tonë dhe kjo nuk duhet të ndodhë më. Gjykoj se lojtarë të tillë si Sadiku nuk duhen lejuar që të rriten në vendin tonë dhe më pas të luajnë për një kombëtare tjetër. Jemi një vend i vogël dhe nuk mund t’i lejojmë vetes që të humbasim lojtarë të tillë”, – ka thënë dje Hamren për aftonbladet.se.