e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

De Biazi: Humbem dy pike, por s'dorezohemi

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
De Biazi: Humbem dy pike, por s'dorezohemi
Xhani De Biazi nuk e fsheh zhgënjimin që Shqipëria humbi dy pikë në minutat e fundit, por tregohet realist për ecurinë e skuadrës, madje e pranon se kanë arritur diçka më tepër në grup, sesa ai kishte para fillimit të edicionit. Trajneri i Kombëtares shqiptare e përgëzon skuadrën për ndeshjen me Norvegjinë, ndërkohë që shprehet optimist për vazhdimësinë e projektit të nisur me kuqezinjtë…

Barazim në minutat e fundit. Si është ky rezultat për ju?

Jam i kënaqur për paraqitjen që bëri skuadra. Të gjithë lojtarët luajtën mjaft mirë, ndërsa u munduan të jepnin maksimumin në fushën e lojës. Jam shumë i lumtur që i kemi marrë katër pikë një kundërshtari si Norvegjia, i cili ishte favoriti kryesor në fillim të edicionit. Por, sigurisht që zhgënjehesh disi kur humbet mundësinë për të fituar një ndeshje në fund. Më vjen keq që pësuam gol pak minuta para se të përfundonte loja.

Lamë dy pikë, apo fituam një pikë?

Për mendimin tim lamë dy pikë, pasi ishim ne që kryesonim dhe kundërshtari u mundua që të barazonte në pjesën më të madhe të ndeshjes. Patëm disa raste të mira për shënim, si në pjesën e parë, ashtu edhe në të dytën, ku mund të kishin dyfishuar avantazhin, të cilat mund të na kishin siguruar tri pikët në këtë sfidë.

Shqipëria e vuan shumë pësimin e golave në minutat e fundit. Keni një “ilaç” për këtë pjesë?

Në radhë të parë mendoj se mund të jetë deri diku çështje mentaliteti, por mbi të gjitha ka të bëjë me përqendrimin dhe formën fizike. Ne pësuam gol nga Norvegjia, sepse u shpërqendruam dhe mbi të gjitha se ishim inferiorë në aspektin fizik. Për lojtarët kundërshtarë sezoni ka pak kohë që ka filluar, çka i ndihmon shumë. Ndërkohë që për futbollistët e Shqipërisë ai sapo ka përfunduar, ndaj në pjesën e dytë nuk arritën të ishin aq energjikë sa në 45 minutat e para.

Skuadra duket sikur vuan në goditjet standarde…

Nuk besoj se është diçka shqetësuese. Ne kemi pësuar vetëm një gol në tri ndeshjet e fundit dhe kemi luajtur kundër Sllovenisë dhe dy herë ndaj Norvegjisë. Nëse më duhet të pranoj që të pësoj një gol çdo tri ndeshje, do të “firmosja” menjëherë.

Munguan mjaft lojtarë të rëndësishëm në këtë ndeshje, mes të cilëve Cana, Lila, Roshi apo Curri. Cilit ia ndjetë mungesën më tepër?

Është një pyetje e vështirë, pasi të gjitha lojtarët që zbritën në fushë bënë një punë të shkëlqyer dhe nuk u ndje mungesa e askujt.

Sa e vështirë ka qenë për ta mbajtur De Biazin jashtë euforisë para kësaj sfide?

Mjaft e vështirë, pasi edhe media ka qenë shumë entuziaste.

Shkojmë me pushime me dhjetë pikë, jeni i kënaqur?

Sigurisht që jam i kënaqur. Madje, mund të them se kemi arritur diçka më tepër sesa kisha parashikuar në fillim të kualifikueseve. E rëndësishme është që kemi një grup me futbollistë të rinj dhe me perspektivë, të cilët do të rriten në vazhdimësi dhe do na bëjnë akoma më të lumtur në të ardhmen.

Si e shikoni situatën në grup?

Ndeshja e dytë me Norvegjinë nuk ishte decizive dhe unë e kam thënë edhe më parë këtë gjë. Gjithsesi, duhet të presim edhe ndeshjen e Zvicrës për të qenë më të qartë. Është një grup mjaft i ekuilibruar.

Rikthehemi në shtator me dy ndeshje shumë të rëndësishme. Çfarë plani keni?

E rëndësishme është që lojtarët të çlodhen dhe, më pas, të grumbullohen me klubet e tyre. Pasi të kenë nisur përgatitjet për sezonin e ardhshëm, ne do të nisim edhe fushatën për t’u interesuar se cila është forma e tyre fizike.