Cungu: Respekte Bylisit, por nuk i trembem askujt!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Vllaznia po bëhet gati për një tjetër finale. Këtë herë përballë do të kenë pikërisht Bylisin, çka e bën këtë 90-minutësh vendimtar për misionin "mbijetesë".
Qëllimi i shkodranëve është që të mos dalin duarbosh nga "Adush Muça", pasi vetëm kështu do të ruanin pozitat komode që kanë momentalisht në renditje.
Megjithatë, në kampin kuqeblu nuk ka qetësi, sidomos kur dihet që për ballshiotët ky duel është jetik.
Nisur nga kjo, edhe vetë trajneri Armando Cungu jo vetëm që kërkon vlerë- simin e Bylisit, por shfaq respektin maksimal për kundërshtarin e kësaj të diele.
"Është një ndeshje që duhet vlerësuar maksimalisht. Kundërshtari është shumë i vështirë dhe këtë e ka dëshmuar me disa ekipe. Për më tepër ata kanë një kontingjent të bollshëm dhe cilësia nuk u mungon.
Nuk do ta kemi të lehtë dhe kjo dihet. Pavarësisht komoditetit që mund të kemi momentalisht në renditje, pasi jemi 5 pikë para Bylisit, nuk ka vend për qetësi. Kjo nuk do të thotë asgjë, madje na komplikon objektivat. Ne duhet të punojmë me gjithë mundësitë për këtë përballje", ka thënë numri një i pankinës shkodrane, i cili në këtë formë mundohet që t'i mobilizojë të tijtë para kësaj sfide delikate.
Besimi
Edhe pse nuk do të jetë e lehtë, për Cungun asgjë nuk është e pamundur. Është një përballje me një kundërshtar direkt, por sipas trajnerit skuadra e tij e ka të gjithë potencialin që t'ia dalë ndaj kujtdo. Dashur pa dashur dy fitoret e fundit ndaj Tërbunit dhe Vllaznisë kanë shtuar entuziazmin në Shkodër, ndaj kërkohet që edhe me Bylisin të përsëriten këto paraqitje.
"Me rikuperimin e disa prej lojtarëve që na kanë munguar në javët e fundit, gjithçka do na bëhet më e lehtë. Por njëherësh duhet që në fushë çdo futbollsit të japë shpirtin, ashtu si kanë vepruar në takimet e fundit. Ne vlerësojmë gjithkënd, por nuk i trembemi askujt dhe sigurisht as Bylisit. Shpresoj që të bëjmë më të mirën dhe të marrim maksimumin në këtë takim", deklaroi trajneri shkodran i Vllaznisë.
Përgatiti: Admir Uruçi