Alegri kurth me presing, Pep ia çon në ferr 6-3-1
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Juventusi shkëlqeu falë një orientimi "optik", kundërsulm, driblim dhe topa të gjatë.
Këto katër "receta" shokuan Bajernin, por gjermanët marrin frymë falë Levandovskit dhe Mylerit duke shmangur përsëritjen e finales së Champions-it 2012.
Dominim me presing
Në Torino, Bajerni ishte ekipi më i mirë falë presingut, ndërsa në Mynih ndodhi e kundërta. Me një presing të gjerë dhe efikas në 5 minutat e para duke reaguar në mënyrë situative Juventusi nuk surprizoi vetëm Guardiolën dhe lojtarët e tij, por çdo fans futbolli. Në parim skema e tij formatohej në 4-3-1-2 dhe 5-4-1. Në këtë formë "Zonja" bëri presing të brendshëm në zonën e saj, por kur integronte presing të lartë orientimi ishte magjik. Në presingun e lartë, Pogba spostohej si sulmues krahu në të majtë , diagonal me qendrën dhe reagonte si "8"-tsh i majtë ose si një qendërsulmues i dytë.
Morata zhvendosej shpesh nga e djathta dhe Khedira mbulonte zonat e qendrës i vetëm. Në këto qëndrime formohej shpesh një skemë në formë diamanti me Hernades poshtë Khedirës, si dhe Kuadrado me Aleks Sandro në krahë duke u bërë presing përkatësisht Alabës dhe Lahmit. Dhe Pogba pozicionohej në një nivel me Moratën duke zgjedhur të kishte rival Kimishin. Ky formacion joortodoks (unorthodoxe Formation) bënte që pasimet e qendërmbrojtësve bavarezë të ishin shumë agresivë. Në këtë mënyrë Juventusi u bënte presing mbrojtësve të krahut dhe "6"-shit (mesfushorit defensiv) duke i shtypur dhe rritur së tepërmi shanset për gabim të vendësve. Pogba bllokonte pasimet diagonale nga e djathta dhe depërtimin e Lahmit.
Alegri zgjodhi markimin kokë më kokë. Evra mbulonte Mylerin në qendër, edhe pse kishte rolin e gjysmëmbrojtësit të majtë. Bonuçi iu bë hije Levandovskit, madje deri në gjysmëfushën kundërshtare. Lojtarët e tjerë reagonin edhe sipas situatave brenda zonës së tyre duke u bërë presing kundërshtarëve. Kjo dinamikë lëvizjeje ishte një prej shkaqeve pse Bajerni nuk po lidhej dhe kombinohej dot në ofensivë.
Juventusi fuste Bajernin në kurth në mesin e fushës. Bavarezët e kishin të pamundur të rrotulloheshin dhe kthenin topin prapa, ose në krahë. Rol të rëndësishëm luante edhe Hernanes, i cili markonte dy lojtarë duke u spostuar sa te njëri te tjetri. Pjesërisht Juventusi qëndroi stoik duke markuar në linjën e parë kokë më kokë, tre me tre. Pas avantazhit, Juventusi u riformatua.
5-4-1 për stabilitet
Pogba rikthehet në pozicionin e tij të natyralizuar. Khedira formonte dopiogjashtën me Hernanes; Kuadrado luante në një linjë me këta tre të fundit duke bërë edhe sulmuesin e krahut të djathtë. Sandro dhe Lihtshtajner luanin si mbrojtëssulmues krahu. Evra dhe Barzalji pozicionoheshin pranë Bonuçit si gjysmëmbrojtës.
Formati 5-4-1 i jepte më shumë mburojë në linjën e parë dhe të dytë. Sandro dhe Lihtshtajner dilnin nga pesëkëndëshi mbrojtës dhe me agresivitet u bënin presing sulmuesve ose mbrojtësve të krahut të Bajernit. Në përgjithësi Juventusi edhe me mbrojtje "bunker" integronte detaje interesante. Mbrojtësit e krahut depërtonin në mënyrë diagonale mes gjysmëzonave, çka bëri që Bajerni të mos luante dot me pasime në gjysmëzona duke luajtur në krahë dhe dyfishuar forcat.
Sistemi 5-4-1 i Alegrit paralizonte komplet ndërtimin e sulmit të Bajernit, pasi nuk u lejuan lëvizjet në zonën e rreptësisë në dominancë numerike. Sistemi iu përshtat bukur për kundërsulmet. Morata gënjente Benatian duke i krijuar hapësira edhe Kuadrados. Khedira i pozicionuar në qendër dhe Pogba fitonte lehtësisht duelet me Kimishin. Por, "Zonja" nuk ishte e rrezikshme vetëm në kundërsulm.
Katërcepëshi torinez
Nuk duhen nënvlerësuar kurrë lëvizjet e Juventusit në zonën e rreptësisë. Morata, Khedira, Kuadrado dhe Pogba shkonin shpesh deri në zonën e rreptësisë. Hernanes, Lihtshtajner dhe Sandro bllokonin zonat depërtuese, ndërsa Evra, Bonuçi dhe Barzalji qëndronin të tërhequr. Ky lloj sistemi iu përshtat shumë mirë. Orientimi kokë më kokë i bavarezëve në linjën e fundit linte disa hapësira dhe pengonte depërtimin në kundërsulm të të gjithë ekipit. Pas humbjes së topit, juventinët riformatoheshin dhe ushtronin kundërpresing.
Problemet e Bajernit
Bajerni pati probleme masive nga presingu torinez. Sulmi bavarez nuk pati zona të favorshme dhe s'orientohej dot me portën, për shkak se zonat ishin të bllokuara. Në parim, bavarezët kishin probleme me lojën pozicionale. Lëvizja e lirë e Vidalit dhe Alonsos shkaktoi probleme në ndërtimin e lojës. Qëndronin më shumë afër se ç'duhej pranë njëri-tjetrit dhe për më tepër nuk lëviznin me shpejtësinë e duhur gjatë presingut të Juves. Në disa raste, Vidal qëndronte pak metra pranë Benatias në gjysmëzonën e majtë dhe Alonso shumë afër qendërmbrojtësve. Për këtë shkak, Bajerni pati disa probleme për të depërtuar në linjën e dytë apo të tretë. Gjithashtu, as Vidal dhe as Myler nuk treguan rezistencën e duhur në presing për të paralizuar markuesin italian. Nga ana tjetër, Alaba dhe Lahm zgjeroheshin në krahë në mënyrë ortodokse duke u lidhur me sulmuesit e krahut. Për shkak të strukturës së miqve, as Lahm dhe as Alaba nuk mundën dot t'i mbështesnin siç duhej sulmuesit e krahut. Rrallëherë pamë aksione ku sulmuesi i krahut të lidhej në gjysmëzona apo nxirrte të lirë mbrojtësin e jashtëm. Nga kjo skemë zgjeruese në krah, Bajerni e pati të vështirë të vinte në qendër. "Zonja" u mbrojt mirë nga driblimet e sulmuesve të jashtëm bavarezë duke mos u lënë hapësira depërtuese. Kjo falë kompaktit të mbrojtjes.
Ndryshimet e Guardiolës
Në pjesën e parë pati ndryshime të vogla. Për shembull, Alaba pas minutës së 25-të kishte influencë të lartë në lëvizjet diagonale. Më pas ai me Riberinë bënin rokadë. Në pjesën e dytë, Guardiola ndryshon komplet. Alaba spostohet në qendërmbrojtje pranë Kimishit ku Bernat zëvendëson Benatianë.
Bernat dhe Lahm mbulonin disa herë gjysmëzonat pranë Vidalit dhe Alonsos në mesfushën defensive për të depërtuar në sulm. Pas 60 minutave del Alonso, futet Koman. Francezi pozicionohet në mesfushën ofensive të djathtë; Vidal vigjilent në mesfushën defensive dhe Kosta me Riberinë bënin rokadë mes qendrës dhe krahut të majtë. Braziliani zotëronte zonat qendrore.
Në fazën finale, Bajerni u ngjesh në qendër duke lënë të luante dhe driblonte Komani nga e djathta. Këto ndryshime i dhanë nuanca pozitive dhe gjallëroi shpirtin bavarez. Bajerni fitoi avantazh territorial duke ia gjetur "ilaçin" 5-4-1, e cila në këto momente u kthye në 6-3-1, pasi edhe sulmuesit e jashtëm u tërhoqën duke bërë markim fizik. Bajerni përdori mirë qarkullimin e topit duke zgjedhur krosimet. Bavarezët fituan dominancë numerike në mesfushë dhe rikuperonin topin e dytë falë orientimit të ri. Në këtë formë, Juventusi rrëshqiti pas dy krosimeve duke u barazuar. Në të dyja rastet krosimet u dhanë në shtyllën e dytë ku qëndronte i lirë një prej lojtarëve (Levandovski, Myler).
Në shtesë
Bajerni u shndërrua në makinë presioni, ndërsa Juventusi parkoi autobusin. Pep aktivizon Tiagon në vend të Riberisë duke marrë përsipër rolin e Kostës, i cili lëvizte në mënyrë situative për të ndihmuar ndërtimin e lojës dhe nxjerr më të mirën nga vetja në pozicionin e preferuar në të majtë.
Kombinimi perfekt Myler Tiago dhe lejimi i kombinimit të tyre në zonën e rreptësisë solli avantazhin 3-2. Dy minuta më pas Koman hidhet në kundërsulm duke çuar në "ferr" ish-ekipin e tij. Juventusi pati probleme të dilte në lojën e vet. Futja e Sturaros në vend të Khedirës, Manxukiçit për Moratën (72´) dhe Pereiras për Kuadradon nuk ishte strategji me perspektivë për të mbajtur rezultatin. Juventusi u mpi nga lodhja dhe ia humbi fillin presingut të fillimit, si i vetmi shpëtim për ta.
Përfundimi
Një nga përballjet më të bukura të historisë të Champions-it. Presingu i lartë dhe në formë joortodokse i sollën probleme Bajernit, i cili u korrigjua në pjesën e dytë. Ndryshimet e Guardiolës shërbyen si helm për të mos pasur një Juventus si në pjesën e parë. Zëvendësimet pa diskutim që bënë diferencën, por më e rëndësishme ishte gjetja e hapësirave boshe të "Zonjës" në linjën e parë me 6 mbrojtës.
Përgatiti: ENIAR IBRO