e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Tirana/ Smajli drejt stolit, Fukui mban pezull sulmin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tirana/ Smajli drejt stolit, Fukui mban pezull sulmin

Priten ndryshime te Tirana. Përveç lëvizjeve të kushtëzuara kundër Kukësit, duket se trajneri ka vendosur që të ulë në stol Dritan Smajlin. dritan smajliTë paktën kjo u pa në seancën e djeshme stërvitore, gjatë të cilës binte në sy mungesa e lezhjanit në 11-she.

Deklarata e dhënë nga Ilir Daja pas humbjes me Vllazninë, do të shoqërohet me një tjetër masë. Kujtojmë që trajneri evidentoi faktin që mbrojtësi i linjës së djathtë nuk e kaloi qoftë edhe një herë mesin e fushës, madje ishte i vetmi emër konkret që kritikoi.

Megjithatë, asgjë nuk është zyrtare, pasi situata mund të ndryshojë në dy ditët e fundit të përgatitjeve, pra sot dhe nesër. Por, nga sa u pa, dukej qartë se Smajli po projektohet si një alternativë për pankinën.

Ndoshta nuk do të jetë i vetmi. Ronald Gërçaliu në përballjet e fundit ka qenë titullar, por duket se në ndryshim nga ndeshjet e kaluara, edhe dje ai nuk ishte i përfshirë në formacion. Vendosja - Tirana në fushë provoi formacionin anti-Kukës, ku binte në sy rikthimi i skemës 4-3-3, me Elis Bakajn në majën e ofensivës. Në mbështetje të golashënuesit më të mirë të skuadrës gjatë seancës së djeshme ishin Gjergj Muzaka dhe Grent Halili.

Sakaq, ndryshimet më të mëdha vijojnë pikërisht në mbrojtje, ose më konkretisht në qendër. I rikthyeri Olsi Teqja do të ketë në krah të riun Fjoralb Deliaj, i cili mori edhe elozhe prej trajnerit pas ndeshjes me Vllazninë, në të majtë pritet Hoxhallari, ndërsa djathtas Kërçiku, i cili e ka lënë pas krahëve dëmtimin.

Në mesin e fushës ishte Malaj, që po ashtu është rikuperuar, ndërsa krah tij Papa me Karabecin. Në një moment u testua edhe i riu tjetër Majkëll Peçi, i cili ndoshta mund të luajë në vendin e mesfushorit kuçovar.

Fukui

I vetmi që po mban pezull formacionin është Masato Fukui. Japonezi edhe dje ka vijuar përgatitjet i diferencuar nga grupi. Mes ushtrimeve pa ngarkesë dhe vrapimeve rreth fushës, ai po vijon programin e rikuperimit.

Stafi teknik shpreson që sulmuesi të jetë gati duke filluar nga dita e sotme. Dhe, nëse kjo ndodh, atëherë ai pritet që të jetë pjesë e formacionit, duke zënë vendin e të riut Halili, i cili u provua dje si lojtar krahu.

Përgatiti: ADELA MERKO