Cmendet Manchester United, 125 milione euro per Di Marian
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Humbja 2-1 në “Old Traford” ndaj Swansse në ndeshjen e parë të Premier Ligës, ka bërë që Manchester United të hidhet menjëherë në merkato për të përforcuar skuadrën. Për këtë presidenca i ka vënë në dispozicion teknikut holandez, Loiuz Van Gaal, plot 125 milionë euro. Objektivi kryesor është Di Maria, ndërsa strategu Van Gaal ka bërë gati dhe listën e shpenzimeve. Sipas “Daily Mail”, “djajtë e kuq” në këto ditë të mbetura të merkatos së verës do të bëjnë të pamundurën për të mbërritur tek objektivat e paracaktuar dhe mbi të gjitha për Angel Di Marian e Real Madridit, ku “djajtë e kuq” pritet të bëjnë një çmenduri prej 125 milionë eurosh.
Për anësorin argjentinas, Loiuz Van Gaal, ka gati një ofertë prej 50 mijë paundësh apo 60 milionë euro, që të joshë drejtuesit e kampionëve të Europës për të lënë të lirë anësorin e tyre. Ndërsa për Di Marian është gati një kontratë sheikësh. Anësori në rast se operacioni do të realizohet, do të firmosë një kontratë 5-vjeçare me një rrogë 240 mijë euro në javë, apo 13 milionë euro në sezon, në total, në 5 vjet Di Maria do të përfitojë 65 milionë euro, duke e çuar kështu vlerën e operacionit “Di Maria” në 125 milionë euro. Argjentinasi gjatë muajit korrik ishte shumë pranë PSG-së, por francezët u tërhoqën nga blerja e lojtarit për shkak të kostos. “Daily Mail” në artikullin e saj thekson se, në rast se Van Gaal do siguronte Di Marian, atëherë do të hidhej në sulm për të rregulluar repartin e mbrojtjes, duke lënë mënjanë objektivin Vidal, për gëzimin e popullit juventin, por në rast të kundërt kiliani do të kthehej në modë dhe oferta për bardhezinjtë do të ishte 50 milionë euro plus Hernandez Chicharido.
Por nuk përfundon këtu, pasi sipas “Daily Mail” një objektiv tjetër i Manchester United është mbrojtësi argjentinas Rojo. Ai kushton gati 30 milionë euro, ndërsa Van Gaal ka gati një ofertë prej 20 milionë eurosh plus mesfushorin Nani, për ta kthyer krahun e djathtë të mesfushës në një raketë argjentinase. Për në qendër të mbrojtjes emri është i njëjtë, Benatia i Romës, ku konkurrenca bavareze është e lartë. Edhe pse drejtuesit e nënkampionëve të Italisë kanë theksuar se lojtari nuk është në shitje, burime pranë klubit bëjnë të ditur se Benatia sezonin e ardhshëm do të luajë jashtë Italisë, ndërsa flitet se drejtuesit romanë kanë gjetur dhe zëvendësuesin e tij, bëhet fjalë për mbrojtësin francez Bassa. Bayern Munich nga krahu tjetër pas dëmtimit të Javi Martinez, ka bërë një përpjekje për mbrojtësin, por mesa duket Manchester United nuk dorëzohet dhe është gati të bëjë ofertën e saj prej 38 milionë eurosh, çka mund të sjellë dhe transferimin e lojtarit. Gjithsesi, alternativa për Benatia është Blind i Ajax. Lojtari kushton 18 milionë euro dhe konkurrenca është e vakët për “djajtë e kuq”. Kujtojmë se Manchester United gjatë këtij seksioni merkatoje ka shpenzuar 73 milionë euro(nga 100 milionë të vëna në dispozicion), duke sjellë në “Old Traford” lojtarë si Luke Shaw, i cili i kushtoi 37 milionë euro dhe Ander Herrera, 36 milionë euro.