e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Celsi turperon Arsenalin ne diten e 1000 pankinave te Venger

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Celsi turperon Arsenalin ne diten e 1000 pankinave te Venger

Triumfi 6-0 i bluve është më i thelli në historinë e derbit të ndezur të Londrës

Çelsi i ka dhënë një leksion të mirëfilltë futbolli Arsenalit duke shuar shanset për titullin kampion të “topçinjve” me një sukses të thellë 6-0 në derbin e Londrës. Në një ndeshje pas shumë histori, skuadra e Murinjos ka bërë atë që donte në fushën e lojës, përballë ekipit të Venger që ka dalë i turpëruar në atë që ishte ndeshja e tij e 1000 në karrierë si trajner i Arsenalit.

Ndeshja në vetvete zgjati shumë pak, pasi kur shënohej minuta e 17-të, rezultati ishte 3-0 për Çelsin dhe Arsenali ishte në inferioritet numerik. Gjithçka erdhi si rrjedhojë e taktikës së gjetur të Murinjos, që kishte udhëzuar ekipin të bënte presing të lartë dhe të sulmonte hapësirat, plan i ndjekur në perfeksion pas “dhuratave” që vetë lojtarët e Arsenalit u bënë kundërshtarëve. Oksleid-Çambërlein gaboi në aksionin e golit të parë të shënuar nga Eto’o në minutën e 5-të, ndërsa vetëm 2 minuta më vonë, Kazorla humbi topin, duke i dhënë mundësinë Shurle të shënonte golin e dytë. Oksleid-Çambërlein më pas preku topin me dorë në zonë duke shkaktuar penallti, ndërsa gjyqtari Marriner bëri një gafë absurde duke larguar Gibs me karton të kuq në vend të mesfushorit anglez, edhe pse ky i fundit i pohoi se kishte qenë ai që kishte devijuar sferën. Hazard transformoi lehtësisht nga pika e bardhë, ndërsa më pas ndeshja u kthye thjesht në çështje statistike sesa gola mund të bënte Çelsi deri në vërshëllimën përfundimtare. Dygolëshi i Oskar dhe “vula” e Salah në minutën e 70-të caktuan rezultatin 6-0, që është suksesi më i thellë i Murinjos në drejtimin e Çelsit e njëkohësisht fitorja më e thellë në histori e bluve londinezë në këtë derbi.

“Dolëm në fushë me objektivin për të vrarë dhe brenda 10 minutash në i shkatërruam”, ishte deklarata e Murinjos, i cili dukej shumë i lumtur për këtë sukses të jashtëzakonshëm ndaj një trajneri që ai e ka cilësuar si rivalin e tij më të madh. “Ishin 10 minuta fantastikë dhe brenda këtyre 10 minutave mund ta mbyllësh ndeshjen. Pas këtyre 10 minutave, ishte shumë e thjeshtë”. Nga ana tjetër, Venger, ka marrë përgjegjësi të plotë për disfatën e thellë. “Kjo humbje është krejtësisht faji im. Mendoj se as nuk është e nevojshme të flasim për gabimet tona, kemi marrë një të rrahur të mirë. Sigurisht, është një nga ditët më negative të karrierës time. Kishte mbaruar gjithçka pas 20 minutash, ndërsa kishte mbetur shumë kohë deri në mbylljen e ndeshjes. Nuk përgatitesh gjatë gjithë javës për të përjetuar një eksperiencë të tillë”, pranoi me dëshpërim trajneri francez.