e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Cana: Jo e pamundur fitorja ndaj Frances

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Cana: Jo e pamundur fitorja ndaj Frances

“Jam i emocionuar. Në Marseille kam familjen time dhe kujtimet më të bukura, por tashmë është një realitet i ri dhe kthehem si kundërshtar në Francë dhe i motivuar për të arritur një rezultat pozitiv”

Kapiteni i Kombëtares shqiptare të futbollit, gjatë një prononcimi për mediat franceze ka theksuar se fitorja ndaj Francës nuk është e pamundur për Kombëtaren tonë. Teksa kuqezinjtë kanë nisur përgatitjet për miqësoren e së enjtes mbrëma, kapiteni kërkon të motivojë skuadrën duke komentuar me nota pozitive pritshmëritë për takimin e radhës. Kapiteni Cana, i cili veç kombësisë shqiptare gëzon edhe pasaportën franceze, është shprehur i emocionuar që do të shkelë sërish tokën në vendin ku ka shpërthyer si futbollist, edhe pse kësaj radhe si kundërshtar. “Jam i emocionuar. Në Marseille kam familjen time dhe kujtimet më të bukura, por tashmë është një realitet i ri dhe kthehem si kundërshtar në Francë dhe i motivuar për të arritur një rezultat pozitiv”, – theksoi Cana. Për lidhjen e veçantë që ka me qytetin e Marsejës, 30-vjeçari u shpreh se do të dëshironte që Francë–Shqipëri të luhej në Velodrome. Duke u kthyer tek takimi, sipas Canës, Franca mbetet një skuadër e madhe dhe vjen pas një periudhe pozitive në ‘Brazil 2014’.

“Ajo do të jetë favoritja kryesore për të triumfuar në ‘Euro 2016’ edhe për faktin se luan në shtëpinë e saj. Ndeshja e së enjtes do të jetë një test i rëndësishëm për ne”, – nënvizoi Cana, i cili mbrëmjen e së enjtes do të kultivojë dhe një rekord personal. “Unë nuk jam më i vjetri në moshë, por lojtari më me eksperiencë në kombëtare. Që nga viti 2003 luaj me Shqipërinë. Tani kam 79 ndeshje me Kombëtaren dhe kundër Francës do të thyej rekordin në këtë aspekt (bëhet me 80 ndeshje dhe parakalon Altin Lalën me 79 ndeshje në total). Unë po përpiqem për ta vënë përvojën time në shërbim të të rinjve, për t’i ndihmuar ata”, – përfundon Cana, i cili iu kujtoi francezëve që pas ndeshjes në Renne, kuqezinjtë do të kenë një tjetër miqësore luksi në Genoa përballë Italisë. Për herë të fundit Shqipëria ka qenë në të njëjtin Grup me Francën në eliminatoret e ‘Euro 2012’, ku më emocionues ishte takimi i “Qemal Stafës” më 2 shtator të 2011-ës, që përfundoi me fitoren 2-1 të skuadrës së Laurent Blanc.

Cana shprehet se Shqipëria e vuri në vështirësi serioze Francën, por u ndëshkua nga dy gola të thjeshtë, që në fund u dhanë tri pikë kundërshtarëve. Gjatë ditës së dytë të grumbullimit të përfaqësueses shqiptare, veç deklaratës së kapitenit Cana edhe një mbrojtës tjetër është prononcuar për mediat. Kështu, Mërgim Mavraj duke folur për miqësoret tha se motivimi është i lartë dhe dëshira për një rezultat pozitiv është më se i mundshëm. Mbrojtësi Mavraj rikthehet edhe tek ndeshja e Beogradit, duke thënë se ndeshja ndaj Serbisë ishte një fitore kombëtare.“U grumbulluam prapë me Kombëtaren. Kësaj radhe me një dëshirë si kurrë më parë, me një ëndërr që edhe më shumë u fut në zemrat tona. Kjo ndjenjë nuk shihet vetëm tek skuadra jonë, por në të gjithë shqiptarët anembanë botës. Jemi të lidhur nga ajo ditë që asgjë dhe askush nuk mund të na mundë”, – theksoi Mavraj. Tekniku De Biazi vijoi ditën e martë seancën e parë stërvitore dhe sot pritet të japë edhe një prononcim për shtyp. Shqipëria të enjten do të përballet me Francën dhe pak ditë më tej, 18 nëntor, me Italinë në Genoa.

Ja programi i miqësoreve për sot

Veç Kombëtares Shqiptare të Futbollit edhe përfaqësuese të tjera europiane do të zhvillojnë takime miqësore ndërmjet tyre, në kuadër të përgatitjeve për eliminatoret e europianit “Francë 2016”. Kështu, sipas programit zyrtar të miratuar edhe nga qeveria europiane e futbollit UEFA, vërehet se Kroacia do të zhvillojë një miqësore luksi me Argjentinën në Buenos Aires në orën 19:45. Norvegjia me Estoninë në Oslo, në orën 20:00. Ndërsa në 20.30, Holandë – Meksikë, në Amsterdam, si dhe Turqi–Brazil në Stamboll. Së fundmi në orën 20:45, Belgjika do të përballet me Islandën në Bruksel.