e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Bylisi s dorëzohet, synon të kalojë Flamurtarin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bylisi s dorëzohet, synon të kalojë Flamurtarin

Humbja e pësuar ndaj Vllaznisë në sfidën direkte që u luajt në "Adush Muça" ditën e diel ka rënduar shumë pozitat e Bylisit në klasifikim, i cili vijon të jetë i parafundit në renditje dhe me një këmbë në Kategorinë e Parë.bylisi vllaznia Mallakastriotët humbën mundësinë për të ngushtuar diferencën me shkodranët dhe, nga ana tjetër, ta parakalonin në renditje Flamurtarin. Por, edhe pse luajtën në fushën e tyre me përkrahjen e tifozërisë që ishte si asnjëherë më parë aq e shumtë në numër këtë sezon, nuk ia dolën dot që të merrnin një rezultat pozitiv.

Tani në Ballsh kanë filluar t'i bëjnë llogaritë me vlonjatët, si kundërshtari më i afërt i tyre dhe më i mundshëm për t'u arritur, sepse me 8 pikë diferencë duket pothuajse e pamundur që shkodranët të arrihen.

Megjithatë, duke qenë se mbetet edhe një fazë për t'u luajtur ende dhe në lojë janë plot 27 pikë, në Ballsh nuk kanë ndër mend që të dorëzohen, ndonëse kanë rënë pre e padrejtësive këtë sezon.

Bëhet fjalë për kartonët e shumtë dhe tendencën në ndeshje të caktuara për të ndëshkuar lojtarët e kësaj skuadre, të cilët, sipas ballshiotëve, në shumë raste nuk i kanë merituar.

Sigurisht që çështja më e nxehtë e këtyre javëve të fundit ka qenë ajo e mbrojtësit Albi Alla, për të cilin fillimisht u mendua se do të falej dhe do të ishte në fushë ndaj Vllaznisë, por kjo nuk ndodhi.