Bylisi i plotë, klubi apel tifozëve për të mundur Tiranë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bylisi e sheh si një finale ndeshjen e kësaj fundjave me Tiranën dhe në të tilla përballje është shumë e rëndësishme që të jetë grupi i plotë.
Për fat të mirë, Zildzoviç nuk do të ketë mungesa për arsye kartonësh dhe të paktën këto ditë asnjë nuk ka shfaqur probleme shëndetësore, ndaj sipas të gjitha gjasave në fushë do të hidhet kontingjenti më i mirë që është në dispozicion.
Ekipi fitues nuk ndryshon dhe, me shumë mundësi, boshnjaku në krye të pankinës mallakastriote do të hedhë në fushë të njëjtin formacion si në Pukë, me ndonjë ndryshim të vogël. Gjithsesi, këto dy ditë do të zgjidhen edhe dilemat e Zildzoviçit për sa u përket futbollistëve që do t'u besohet një fanellë titullari ndaj bardhebluve të kryeqytetit.
Duke qenë se kjo ndeshje konsiderohet si një finale për mallakastriotët dhe mund të vendosë jo pak për fatet e sezonit, drejtuesit shpresojnë edhe te përkrahja e lojtarit të 12-të në shkallët e "Adush Muça"-s.
Në fakt, me sfidat e fundit të zhvilluara në shtëpi, ballshiotët kanë zhgënjyer jo pak, por me sa duket edhe tifozëria do t'i japë shansin e fundit për të bërë autokritikën në fushën e tyre. Ky është momenti më kulminant i sezonit dhe Bylisi ka vërtet nevojë për mbështetjen e të gjithëve për të arritur synimin e mbijetesës në kategorinë Superiore.