Brazil, planifikohet operacioni me i madh i sigurise per finalen e Boterorit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Autoritetet në Brazil po planifikojnë operacionin më të madh të sigurisë që është ndërmarrë ndonjëherë në Rio de Zhaneiro, për finalen e Kupës së Botës që do të luhet ditën e diel mes Gjermansië dhe Argjentinës. Zyrtarët e lartë kanë deklaruar se mbi 25 mijë forca sigurie do të vendosen në qytet për ndeshjen finale. Krerët e shteteve të ndryshme, ku përfshihet edhe kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti rus Vladimir Putin, do të ndjekin ndeshjen e shumëpritur.
Ndeshja e cila do të luhet në stadiumin “Maracana” pritet që të ketë rreth 75 mijë tifozë, ndërkohë që në operacionin e sigurisë do të angazhohen policë, ushtarë e zjarrfikës, dhe 25 anije do të monitorojnë bregun e qytetit. Jose Mariano Beltrane, zyrtari i qeverisë lokale ka deklaruar se ky do të jetë operacioni më i madh i sigurisë që ka ndërmarrë ndonjëherë vendi i tyre.
“Duhet të sigurohemi që ky eveniment të shkojë si çdo ndeshje tjetër e Kupës së Botës. Personalisht preferoj të kem gati trupat, sesa të kapem në befasi nga ndonjë e papritur”, ka theksuar Beltrane.
Ndërsa korrespondentja e BBC-së në Rio, Julia Carneiro, ka bërë me dije se numri i agjentëve të sigurisë është i barabartë me një të tretën e të gjithë tifozëve që do të ndjekin takimin brenda stadiumit. Masat e sigurisë do të jenë gjithashtu të rrepta në zonat ku mijëra argjentinas janë mbledhur në kampingje, nga ku pritet që tifozët nga vendi fqinj të arrijnë në 70 mijë për finalen.