e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Bomba' e Arsenalit, synon Iker Kasijasin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Bomba' e Arsenalit, synon Iker Kasijasin
Një nga dobësitë e Arsenalit në se zonet e fundit ka qenë fakti që i ka munguar një portier që ofron garanci. Dhe nga Spanja vjen lajmi bombastik se Arsen Venger është gati t’i ofrojë një rrugë shpëtimi Iker Kasijasit nga kriza me Murinjon. Kapiteni i Realit ka përfunduar në listën e zezë të teknikut portugez, edhe pse nuk e ka vënë në diskutim titullin e portierit më të mirë në botë nga “IFFHS” në këto 5 vitet e fundit. Numri 1 i kombëtares spanjolle u injorua sërish gjatë ndeshjes së fundit të “galaktikëve” me Real Sociedadin dhe u desh dalja e Adanit me karton të kuq që Kasijas të vishte dorezat. Nuk është më sekret fakti që Murinjo nuk e do më gardianin 31-vjeçar. “Besimi është një element i rëndësishëm, por i tillë është edhe rivaliteti për të fituar një vend titullari.

Të jesh i qetë për një kohë të gjatë nuk është diçka e mirë, pasi nuk e motivon më lojtarin”, – ishte justifikimi i trajnerit për uljen në stol të emblemës së klubit. Krisja e parë trajner- lojtar u bë publike në ndeshjen e fundit të madrilenëve për vitin 2012, ajo kundër Malagës (humbën 3-2). Zhoze e la sërish në stol portierin në ndeshjen e parë të 2013-ës, ndërsa ndaj Saragozës të dielën ai hyri në fushë vetëm në minutën e 6-të, pasi Adan doli me karton të kuq pas 6 minutash lojë. Kasijas kishte munguar vetëm në një ndeshje të La Ligës në 5 sezonet e fundit. Ky është sezoni i 14-të i tij me skuadrën e parë, teksa numëron afro 650 ndeshje me klubin. Arsenali mund të pranojë të derdhë në arkat e Realit shifrën që Perez kërkon, por i duhet t’ia mbushë mendjen Kasijasit, që zor se mund të pranojë të lërë “Bernabeu”-n.

Çek i bardhë - Mediat spanjolle dhe angleze raportonin një ditë më parë se Venger ka kohë që është vënë në kërkim të një emri të njohur për portën, pasi ka humbur totalisht besimin te polaku Vojçeh Shezni. Që një marrëveshje e tillë të arrihet në janar, duket fantazi e shfrenuar edhe për tifozët më optimistë të londinezëve. Por Venger ka deklaruar se ai do të bëjë përforcime në “Emirates Stadium” vetëm nëse bëhet fjalë për një superlojtar. Dhe ja ku ka rastin më të mirë, ndërsa Kroenke dhe Usmanov do të firmosnin një çek të bardhë vetëm që Iker të vishej bardhekuq.