e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Boks, protesta për 1 mijë lekë

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Boks, protesta për 1 mijë lekë

Për të 13-in vit radhazi, në pallatin e sportit "Qazim Dervishi" në Shkodër, ka nisur turneu ndërkombëtar i boksit "Vllaznia Memorial 2016". zef-gjoniKëtë vit pjesëmarrëse janë 6 ekipe të ndryshme.

Dita e parë ofroi 6 ndeshje në total, teksa nga 4 që patën boksierët e Shqipërisë dy prej tyre kanë arritur të fitojnë dhe janë shkodranët Arjon Kajoshi në peshën 75 kilogramë përballë Anton Dimitrov të Bullgarisë dhe Nelson Hysa në peshën +91 kilogramë përballë Melkaid Palucës po ashtu boksier i Shqipërisë. Klevis Vrapi dhe Ardit Nurja kanë humbur dy takimet në ditën e parë të memorialit.

Për Kosovën ka fituar Violent Sylejmani në peshën 60 kg, ndërsa ka humbur Naser Shala në peshën 64 kg.

Revolta

Në fund të 6 takimeve, trajneri i kombëtares kuqezi Zef Gjoni është shprehur tejet i revoltuar sepse tifozët është dashur që të paguajnë biletat që kushtojnë 100 lekë të rinj për t'u futur në pallatin e sportit. Është një vendim në paketën fiskale e miratuar në Këshillin Bashkiak të Shkodrës.

"Është një turp që të mos lejohen tifozët që të futen për të parë ndeshjet. Unë po ju them se nesër (sot) çdo tifoz do të futet dhe këtë do t'ia mundësoj unë dhe s'do të guxojë kush që t'i ndalë. Duan të fitojnë edhe te boksi. Ne organizojmë gjithë këtë aktivitet, këta kërkojnë ta shfrytëzojnë. Nuk më intereson as Këshilli Bashkiak, as bashkia dhe as askush tjetër po të duan të vijnë e të më ndalin nëse guxojnë. Nuk më kanë ndalur në komunizëm jo më sot.

As nuk pyes askënd dhe s'do të kenë shanse që të mos lejojnë tifozët se do përballen me mua. Është e turpshme që pallati i sportit të qëndrojë bosh në një turne të tillë ndërkombëtar kaq të rëndësishëm me ekipe dhe boksierë cilësorë. Kush ju vjen këtyre nga bota që nuk duan t'i lejojnë tifozët.

Veç ne sjellim kampionë bote këtu, boksierë që kanë fituar medalje apo skuadra të suksesshme si Kazakistani apo Ukraina. Në vend që të na ndihmojnë, duan të na pengojnë. S'do ta lejojmë sepse nuk është e drejtë. Ata s'kanë bukë dhe kanë 1 mijë halle dhe prapë së prapë vijnë duke sakrifikuar, tani t'u marrim edhe lekë. Nuk jemi në ato kushte.

Do të futen të gjithë dhe ata që s'kanë mundësi nuk do të paguajnë dhe këtë do t'ua mundësoj unë. Do bëhet si them unë dhe jo si duan këta, sepse boksin e drejtoj unë dhe kemi bërë Shkodrën të ndihet krenare", u shpreh në prononcimin e tij i irrituar trajneri i kombëtares shqiptare të boksit.

DITA E PARË E MEMORIALIT
PESHA 52 KG
Denis Vrapi (Shqipëri) - Aleksandër Aleksandrov (Bullgari) 0-3
PESHA 52 KG
Azamat Isakulov (Kaz)-Ardit Nurja (Shqipëri) 3-0
PESHA 60 KG
Remzo Ikoviç (Kos)-Violent Sylejmani (Kos) 0-3
PESHA 64 KG
Naser Shala (Kos)-Maulen Okenbek (Kaz) 0-3
PESHA 75 KG
Arjon Kajoshi (Shqipëri)-Anton Dimitrov (Bull) 2-1
PESHA +91 KG
Nelson Hysa (Shqipëri)-Melkaid Paluca (Shqipëri)
Fiton Hysa, 3 faulla brenda një raundi

Përgatiti: SENAD NIKSHIQI