e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Besnik Hasi: Dy kombetare na dobesojne

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Besnik Hasi: Dy kombetare na dobesojne

Tranjeri i skuadrës belge të Anderlechtit, Besnik Hasi ka dhënë një intervistë për emisionin Interaktiv ku ka folur për eksperiencën e tij tek skuadra belge, punën e tranjeri De Biassi dhe ekzistencën e dy ekipeve shqiptare.

“Unë jam shumë i lumtur dhe shumë krenar që Anderlecht më ka dhënë besim edhe për dy vitet e ardhshme. Ka qenë një zgjedhje natyrale sepse kam kaluar një kohë të gjatë fillimisht si futbollist dhe më pas si zëvendës trajner.”

Hasi ka deklaruar se refuzimi i postit të tranjerit të kombëtares shqiptare erdhi si pasojë e objektiva të tij tek klubi belg. “Kam biseduar gjatë me presidentin Duka dhe ai ka qenë shumë korrekt me mua. Ndoshta ka qenë shumë herët që unë të bëhesha trajner i Shqipërisë. Ka qenë një vendim i vështirë që e mora bashkë me presidentin e Anderlecht. Unë shpresoj që rastin nuk e kam humbur përgjithmonë dhe dua që vendit tim t’i shërbej. Ndoshta do të vij edhe më i fortë”.

Duke folur për çështjen e shumë debatuar në lidhje me krijimin e përfaqësueses së Kosovës Hasi është shprehur: “Jam shumë i lumtur që nuk kam nevojë të bëj zgjedhje mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kur ndahemi në dy pjesë ndoshta nuk jemi aq të fortë. Është një vendim shumë i vështirë dhe unë shpresoj që çdokush të ketë mirëkuptimin për çdo vendim që do të marrin këta çuna sepse nuk është e lehtë”.

Ish-lojtari i kombëtares shqiptare ka vlersuar punën e tranjerit Gianni De Biassi, duke e quajtur llogjike vazhdimin e kontratës me tranjerin italian. “Kam respekt shumë të madh për De Biasin dhe është logjike që të vazhdojë kontrata e tij edhe për dy vite. Ka filluar eliminatoret shumë bukur por në fund humbi disi vazhdimësinë . Ka krijuar një bazë të mirë për të ardhmen”.

Hasi ka deklaruar gjithashtu se do ti përgjigjej pozitivisht një ftesë nga përfaqësuesja e Kosovës, por për momentin ai është i përqëndruar vetëm tek Anderlecht. “Do të përgjigjem gjithmonë pozitivisht nëse Kosova më thërret por ambicia ime është që të qëndroj sa më gjatë me Anderlecht. Shpresoj që të në ardhmen do të krijojmë trajnerë të denjë për ta përfaqësuar vendin tonë”.