e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Berluskoni përplaset me Galianin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Berluskoni përplaset me Galianin

E ardhmja e Milanit është sërish në kaos: zëra për largime, mendime kontroverse, intervista thumbuese dhe një seri ngjarjesh që kanë turbulluar ambientin kuqezi në periudhën e fundit kanë shkaktuar një "tërmet" në shtëpinë kuqezi. Mbi të gjitha është çështja e trajnerit. berluskoni me trofete"Djalli", i cili nga viti 2014 deri më sot ka ndryshuar katër trajnerë, është në kërkim të ekuilibrit, pas një seri gabimesh në vlerësim me Leonardon, Sedorf dhe Inzagin. Me sa duket, drejtuesit e klubit akoma nuk i kanë idetë e qarta.

Sipas të përditshmes italiane "Tuttosport", pas një bashkëpunimi 30-vjeçar të suksesshëm, marrëdhënia midis presidentit kuqezi, Silvio Berluskoni, dhe administratorit, Adriano Galiani, nuk është më si dikur. Dy miqtë e vjetër flitet se nuk ndajnë më të njëjtat ide për drejtimin e klubit. Prej disa muajsh, bosi i Milanit ka shprehur dëshirën për të ndërtuar një skuadër 100% me futbollistë italianë, duke hapur në këtë mënyrë një cikël të ri.

Sakaq, Berluskoni vetëm disa ditë më parë ka snobuar dy trajnerë për stolin, bëhet fjalë për Antonio Konten dhe Eusebio Di Françeskon. "Kavalieri" shikon me sy të mirë promovimin në ekip të parë të Kristian Brokit, i cili aktualisht është në krye të të rinjve të Milanit. Mirëpo, një tjetër eksperiment nuk është pritur mirë nga Galiani.

Ky i fundit po provon me të gjitha mënyrat për të konfirmuar Sinisha Mihajloviçin edhe në sezonin e ardhshëm, kontrata e të cilit përfundon në vitin 2017. Administratori flitet se i ka rikujtuar Berluskonit eksperimentet e dështuara me Leonardon, Sedorf dhe Inzagin. Sakaq, një tjetër përplasje midis tyre lidhet edhe me emrin e drejtorit sportiv.

Berluskoni, i cili ka vënë në dukje se në vitet e fundit nuk është punuar mirë në merkato, kërkon që të afrojë Valter Sabatinin nga Roma, mirëpo, ky i fundit nuk e pëlqen këtë ide. Ardhja e mundshme e Sabatinit do t'i ngushtonte hapësirat operative administratorit, i cili në rolin e drejtorit sportiv ka propozuar ish-futbollistin e Milanit, Manuel Rui Kostën, që aktualisht mbulon të njëjtin rol tek ekipi i Benfikës. Portugezi në krahun tjetër nuk e ka fshehur kurrë vullnetin për t'iu bashkuar sërish kuqezinjve dhe pret vetëm një telefonatë nga Berluskoni.

Përgatiti: LEAR MAÇI